Ishte 14 vjeçe kur babai i saj, koloneli Dilaver Radeshi, historian i njohur ushtarak, u dënua me 10 vjet burg politik. Pas atyre dhjetë viteve të vështirë, nisi një tjetër periudhë hakmarrjeje ndaj familjes së ushtarakut të paepur, ku sprovën më të fortë e kaloi vajza e madhe, Tefta, e cila për ditë me radhë iu nënshtrua hetuesisë sfilitëse, të kryesuar nga Nevzat Haznedari. Aq të papërballueshme ishin ato seanca pyetjesh, sa e reja tentoi të vriste veten. Sot ajo është mbi 70 vjeçe, jeton në qytetin e Korçës së bashku me bashkëshortin, Vaskë Kolaci. Me dëshirën dhe pasionin që e karakterizon, në vitin 2005 mbaroi me rezultate të shkëlqyera studimet në Fakultetin Ekonomik dhe është një zë i rëndësishëm i komunitetit të saj në mbrojtjen e të drejtave të të përndjekurve politikë dhe shtresave të ndryshme të shoqërisë. Në këtë intervistë, ajo tregon me detaje vuajtjet e familjes së saj që nisën që në vitet 1966 – ’67, kur dënuan të atin dhe vazhduan përgjatë gjithë diktaturës komuniste, deri nè vitin 1991.

Znj. Tefta, si e kujtoni atë moment? Cilat ishin ndjesitë që përshkuan pa vetëdije trupin dhe mendjen tuaj?

E mbaj mend shumë mirë atë ditë. Në derën tonë do trokisnin përsëri xhelatët e Sigurimit të Shtetit. Ishte radha për t’u paraqitur në hetuesi dhe koha e largimit nga shtëpia. Një vendim i nënshkruar nga Zija Çela. Unë e kisha përgatitur planin tim. Asaj kohe punoja në shtypshkronjë dhe kisha marrë në shtëpi një lloj helmi që, përdorej në shtypin e thellë. Atë e kisha fshehur në dollapin e banjës që të mund ta përdorja kur të vinte momenti. Ishte mëngjes. Derën e hapi vëllai.

Unë isha lart në dhomë kur dëgjoj të njëjtën frazë; “Kërkojmë motrën tuaj, duhet të paraqitet pranë Degës së Punëve të Brendshme”. Kjo frazë më kishte torturuar me ditë të tëra.  Zbres ashtu siç isha me pizhamet e gjumit dhe i them: Më lejoni të shkoj të ndërrohem…! U ktheva qetësisht dhe më pas vrapova për në banjë atje ku kisha fshehur helmin.

Kur hap dollapin, shoh që shishja ishte bosh. E kishte derdhur im vëlla, Kastrioti, që kishte kuptuar orvatjen time për t’i dhënë fund jetës. Ashtu siç isha, në kushtet e një dëshpërimi, hidhem nga ballkoni i dhomës time…! Bëra atë që i kisha thënë Kadri Hazbiut! Eh… në atë kohë nuk e di pse vdekja m’u duk më e ëmbël…!

U hodha me vrull e një kënaqësi sikur po më çonin në parajsë dhe jo sikur po shkoja drejt vdekjes. Nuk e di nëse do e quaja fat, por poshtë shtëpisë sime, në atë moment ishte komshiu, Kolec Gjoni i cili, më pa kur unë u hodha dhe tentoi të kërkonte ndihmë. Kaq ishte…! Më morën dhe më çuan në spital ku, pasojat do ishin të rënda.

Për ta përmbledhur gjithë këtë, do të thoja vetëm diçka, që njeriu mund të dalë nga vetja vetëm kur i vritet shpresa dhe besimi, kur në kushtet e një dëshpërimi të thellë bëhet hero, duke dashur të humbasë jetën që është provokuar nga regjimi makabër.

Çfarë ndodhi me ju dhe gjatë kohës që ishit në spital, ndërkohë që familja juaj ishte në internim?

Rashë pa ndenja dhe kur hapa sytë pashë që isha në spital. Kisha dëmtuar pothuajse gjithë pjesët e trupit, më kryesorja, kisha dëmtuar rruazat e shtyllës kurrizore. Mbaj mend që përreth meje ishin hetuesi, Operativi Sigurimit i spitalit, Ali Anadolli dhe mjeku ortoped, Dr. Prof. Pëllumb Karagjozi, për të cilin ruaj kujtimet më të mira.

Ai më thotë: “Ç’bëre moj çupë? Ke dëmtuar shtyllën kurrizore, mund të paralizohesh”. Ndërsa unë, duke parë hetuesin dhe operativin që ishin në këmbët e mia, mendoja me vete: “Sa të ulët që janë!”, dhe nuk më bënte përshtypje për fjalët e doktorit.

Afrohet ndaj meje dhe më zuri gishtin e madh të këmbës e ma ngriti. Thirra! Më thotë: “Ke shpëtuar nga paraliza, po do vuash më vonë”. Ndërsa ata m’u kthyen duke më thënë: “E mbajte fjalën që i dhe ministrit”…!

U ndjeva krenare, i kisha futur në diskutime pasi, në atë kohë i gjithë opinioni në Tiranë, ishte me mua dhe “dënuan” këtë fakt. Kisha pësuar fraktura të rënda. Qëndrova gati një muaj shtrirë në krevatin e spitalit, e lidhur e gjitha me allçi e me dërrasa. Familjarët e mi nuk u lejuan që të vinin në spital.

E vetmja që kujdesej për mua ishte shoqja ime, Johana Prosi, së bashku me infermieren Aleksandra, e cila më sillte gjithmonë fshehur nën sqetull, garza të pastra që më nevojiteshin. Ende sot i kam shenjat e asaj orvatjeje si ato fizike dhe ato psikologjike, kur vazhdoj të jem invalide dhe kam marrë statusin e ish-të përndjekurit politik i grupit A/1.

Dua t’ju them diçka që, gjatë kohës që isha në spital, por dhe pas tij, mbaja gjithmonë një ditar ku, shënoja të gjitha ndodhitë. Dua t’ju lexoj një paragraf nga ai ditar. Janë kujtime që i kam ruajtur me fanatizëm deri sot.

15 korrik 1978, ora 9:00, mëngjes, ditë e shtunë…! Erdhën dhe                                                      më morën dy policë. Atë ditë u ekzekutua vendimi i internimit tim, edhe pse më duhej të qëndroja akoma në spital pasi pësova një ënjtje të këmbës së majtë dhe doktorët konstatuan se, duhej hedhur në allçi, por që oficerët e Sigurimit nuk pranuan dhe më morën ashtu me dhimbje siç isha, duke zbatuar vendimin.

Më shoqëroi dhe një doktoreshë e cila quhej, Tefta. Më lidhën në krevatin e ambulancës. Dhimbja ishte e tmerrshme. Nga tronditja më zuri makina. Nuk mund të bëja asnjë lëvizje. Kishin urdhër që të më ruanin, për të mos bërë ndonjë “skandal” tjetër.

Arritëm në vendin ku më priste familja. Më nxorën nga ambulanca ashtu siç isha e gjitha në allçi me dhimbje të mëdha. Babai më doli para dhe në sy të policëve, më tha: “Ku je moj çupë e babait?! Babai invalid i Luftës Partizane dhe vajza invalide e Luftës së Klasave. Unë të prisja “nuse”, (të vdekur), ti je për lapidari…! Megjithatë do të vijë një ditë që ty, do të ngrihet një lapidar”! Por është ironia e fatit. Njerëzit dhe turmat i rrëzojnë lapidarët. Dhe ajo ditë nuk erdhi…!

Si e kujtoni momentin e lidhjes suaj me bashkëshortin, z. Vaskë Kolaci?

Jeta është plot me të papritura. Për persekutimin e familjes Kolaci, kisha dëgjuar nga shoqja ime e ngushtë, Johana Prosi, kur isha në spital dhe po vuaja pasojat e “rebelimit” tim. Ajo e kishte kushëri të parë Vaskën, Vaskë Kolacin, të cilin kur shkoja te gjyshja në Korçë, e kisha parë si një djalë që mbante gjithmonë një violinë nën sqetull.

Njohja jonë ishte një njohje e pazakontë, dashuria jonë akoma më shumë. Ne u dashuruam pa u pare, vetëm duke dëgjuar për fatkeqësitë tona e më tutje. Vaska, gjithmonë më ka treguar se në netët e gjata të internimit, fantazonte për aktet heroike të ngjarjeve gjatë ‘Revolucionit Hungarez’ dhe me imagjinatën e tij më bashkonte me atë rini, që i jepte shpresë se liria do vinte edhe te ne.

Dhe më thoshte: “Si të la ajo rini në Tiranë e nuk të rrëmbeu në krahët e saj si një heroine”? Ky akt për mua, ishte vendimtar për bashkimin tonë. Një dashuri që me një farë mbin e lulëzon edhe mbi një shkëmb të egër.

Kjo më vonë u gërshetua me një mijë peripeci e të papritura dhe u shtua në një pemë të fuqishme, ku dha frytet e veta me bashkimin tonë e, lindjen e dy vajzave, Mikaela dhe Efigjeni, në fshatin Lozhan të Korçës, ku ishim të internuar.

Znj. Tefta ju jeni motra e Kastriot Sulçes, ish-kampioni dhe rekordmeni i atletikës. Mund të më tregoni pak nga historia e tij?

Ah, vëllai im i ndjerë! Kam qenë shumë e lidhur me të dhe i dija ëndrrat dhe pasionet që ai kishte. Fillimisht dëshira e tij ishte të bëhej ushtarak dhe të ecte në gjurmët e babait. Sa herë që babai kthehej nga puna, ai vishte rrobat e tij edhe pse ishin tepër të mëdha.

Kur filloi persekutimi komunist ndaj familjes sonë, ai ishte i vogël, vetëm 7 vjeç dhe nuk e kuptonte dot egërsinë me të cilën do përballeshim. Por duke u rritur brenda regjimit komunist, edhe ëndrrat e tij filluan të ndryshonin. Në këtë vend të izoluar, tanimë ai donte të vraponte i lire, duke ndier forcën e jetës.

Kështu kur ishte në moshën 14-15 vjeçare, u bë pjesë e Klubit “17 Nëntori” në Tiranë, duke nisur rrugën e sportit të atletikës ku, shfaqi menjëherë talentin e tij. Kjo rrugë do mbetej në mes si pasojë e internimit të familjes sonë, por edhe në kushtet e një internimi komunist, vëllai Kastriot Sulçe, do vazhdonte të vraponte si për të treguar se askush nuk e ndalte.

Dhe ashtu ndodhi, atij nuk i’u shua pasioni për atletikën, duke e vazhduar atë edhe mbas përfundimit të internimit. Me ardhjen në qytetin e Korçës, ai u aktivizua me ekipin e “Skënderbeut”, ku theu dy rekorde në pistën e vrapimit dhe korçarët filluan t’a thërrisnin me titullin: “Mëz”.

Dua të kujtoj që vëllai Kastriot Sulçe, ka qenë dhe një ndër firmëtarët e parë të Partisë Demokratike, pjesëmarrës në grevën e urisë të studentëve në Tiranë në shkurt 1991 (pasi në 1990-ën, kur babai u lirua, ai dha normat dhe në moshën 31-vjeçare, filloi studimet në Institutin e Fizkulturës).

Por pas ngjarjeve të 2 prillit 1991, në Shkodër, e parandjeu që ëndrrat e kësaj rinie nuk do të realizoheshin, emigroi jashtë, deri në fund kur u mbyll jeta e tij. Gjatë gjithë karrierës së tij sportive, fitoi shumë medalje dhe tituj, me të cilat triumfoi forca shpirtërore.

Është cilësuar nga Federata Shqiptare e Atletikës, “Rekordmen dhe Kampion në garat e vrapimeve të shpejta në aktivitete Kombëtare dhe Ndërkombëtare”, është shpallur dhe dekoruar nga Presidenti Republikës si “Mjeshtër i Sportit”.

Për të gjithë ata që e njohën, ai do mbetet “atleti kampion që dëshmoi madhështinë e talentit dhe karakterin e jashtëzakonshëm dhe nuk u mposht nga stuhitë e kohërave”, ndërsa në zemrën time dhe të familjes sonë, ai do ngelet përgjithmonë vëllai ynë i vogël.

Znj. Tefta, mbas viteve ’90-të dhe deri sot keni pasur gjithmonë dëshirën dhe vullnetin për të qenë pjesë e veprimtarive të shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të shtresës së ish- Persekutuarve Politikë dhe jo vetëm. Jeni angazhuar bindshëm për një kulturë demokratike në Shqipëri. A mendoni se në Shqipëri përgjatë gjithë këtyre viteve, akoma nuk është mbajtur një qëndrim i duhur në lidhje me dënimin e krimeve komuniste? Cili është mesazhi juaj, kundrejt institucioneve përkatëse?

Sistemi komunist në Shqipëri, shkoi përtej fenomenit të diktaturës, duke marrë meritën e një regjimi të dhunshëm totalitar, ndoshta nga më të pashoqe në botë. Ne ishim të destinuar të përjetonim atë regjim makthi, i cili krijoi ndarje në shoqëri, ku nga njëra anë ishin ekzekutorët dhe nga ana tjetër viktimat.

Menjëherë, me ndryshimet politike, përqafova kulturën demokratike ku, fillimisht mora pjesë në Këshillin Drejtues të Shoqatës së të Persekutuarve Politikë dhe më vonë u emërova kryetare e Forumit të Grave, ish- të Persekutuara Politikë në qytetin e Korçës.

Kam punuar për shumë vite në Arkivin e Shtetit në rrethin e Korçës, ku mund të them me plot bindje se Arkivi, është mjaft i pasur me dokumente mbi pronat, por më vjen vërtet keq që, shoh akoma njerëz me letra nëpër duar, duke u orvatur për të fituar të drejtën e tyre të pronësisë, kështu që janë zbatuar direktivat e Gorbaçovit dhe Ramiz Alisë, ku theksohej se; do i vërtitim gjithë jetën me karta nëpër duar.

Kanë kaluar vite nga ai sistem, por akoma dhe sot, këtu tek ne, nuk ka ndodhur ai  ndërgjegjësimi kolektiv për të kuptuar dhe për t’u përballur me të shkuarën sado e hidhur që ka qenë ajo. Gjithmonë kam menduar dhe kam besuar se, në Shqipëri do vendosej një sistem demokratik, i cili do rikuperonte plagët e komunizmit, por fatkeqësisht ndodhi e kundërta!

Në këtë vend, e keqja mund të jetë aq mizore sa dikur. Duke qenë prezentë për një kohë të stërgjatë, arrin që t’i shpëtojë gjykimit tonë për shkak të paaftësisë në krijimin e një drejtësie “morale” të paktën, jo më tepër. Është e nevojshme të mos harrohet historia, pasi e keqja, kur harrohet, përsëritet dhe brezat që po vijnë, duhet të kenë dijeni për krimet që kanë ndodhur kundër njerëzimit.

Kujtesa dhe ndryshimi duhet të vijë nga ne. Janë të shumtë ata që e jetuan atë kalvar përndjekjesh dhe persekutimesh, breza të tërë të dënuar që u lindën dhe u rritën pa liri duke ndier nën lëkurën e tyre krimet komuniste. Ndryshimi duhet të vijë edhe nga ju që po e rishikoni dhe po e rishkruani atë histori të errët që, rezultoi fatale për fatin e popullit tonë…! Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb