Qindra aktivistë të komunitetit LGBT dhe mbështetës të tyre, kanë marshuar në qytetin e Sarajevës, në Paradën e parë të Krenarisë së këtij komuniteti, që u mbikëqyr nga forca të shtuara të sigurisë pas kërcënimeve për dhunë dhe kundër-demonstrata.

Shumë pjesëmarrës kishin veshur bluza me ngjyrë ylberi, që simbolizon ngjyrat e këtij komuniteti, nën përcjellje të muzikës. Të tjerë mbanin në duar pankarta me mbishkrime “Të bashkuar rreth dallimeve” dhe kanë bërë thirrje si “Vdekje fashizmit, liri popullit”.

Ky marsh ishte i pari në kryeqytetin e Bosnje e Hercegovinës, vend ky mjaft konservativ dhe i vetmi shtet që nuk ka organizuar kurrë një paradë të krenarisë. Në Sarajevë, më 2014, një festival i filmit që shfaqte komunitetin LGBT ishte penguar nga kundërshtarët e të drejtave të tyre.

“Parada është e rëndësishme për shkak se një ditë unë dhe partneri im mund të martohemi ashtu sikur na njihet martesa në Kroaci”, tha Sasa Gavric, ish drejtor i një organizate për të drejtat e njeriut në Sarajevë.

Mediat lokale kanë raportuar se më shumë se 1,000 pjesëmarrës i janë bashkuar marshit.
Zyra e Përfaqësuesit të Lartë në Sarajevë, institucion ndërkombëtar që garanton marrëveshjen për paqe të vitit 1995, kishte kërkuar nga autoritetet që të sigurojnë se ”do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të lejuar që ky aktivitet të zhvillohet i qetë, pa pengesa dhe pa frikë ndaj dhunës”. /Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb