Nga: KLODIANA LALA*
SARANDE – Gjykata e Sarandës dënoi me 10 vite burg, një person që tentoi të vriste fqinjin e tij, pas një konflikti që lindi për hapjen e një rruge të ngushtë kalimi mes dy shtëpive, por për fat të keq la të plagosur kushëririn e tij. Klodian Pashako, u cilësua fajtor për akuzat “Vrasje me dashje, mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri ndodhi më 25 gusht 2013, në Delvinë. Nga hetimi ka rezultuar se Thoma Pashako, ka pasur një konflikt me një komshi të tij. Në debat e sipër, ndërmjet të dëmtuarit dhe komshiut të tij ka ndërhyrë Klodian Pashako, kushëriri i Thoma Pashakos. Klodiani ka qenë i pajisur me armë gjahu dhe në debat e sipër, ka tentuar të qëllojë mbi kundërshtarin e kushëririt të tij, Thomait. Por, nga goditja, saçmat e armës së tij nuk kanë qëlluar mbi objektivin, por mbi djalin e xhaxhait të tij, të dëmtuarin Thoma Pashako.
Konflikti për rrugën
Nga hetimet e prokurorisë rezulton se vendi i konfliktit është në rrethimin e banesës së J.H., ku sipas verifikimeve në terren, dallohej qartë se një pjesë e gardhit rrethues ishte niveluar dhe bërë gati për të hapur një portë. A.H. u ka thënë hetuesve, se ka ndërtuar një shtëpi në një tokë të cilën e ka të të vjehrrit të tij të quajtur M. Pashako dhe kufizohet nga njëra anë me një pronë të shtetasit Thoma Pashako, me të cilin ka një konflikt për hapjen e një rruge për të shkuar në shtëpinë e tij. Më datë 24 gusht 2013, A.H. ka shkuar te shtëpia e vëllait të tij J.H. për të pirë një kafe dhe aty afër ka parë Thomain, të cilit i ka thënë se do të hapte një rrugë për të kaluar, por ai nuk ka pranuar. Të nesërmen në mëngjes, rreth orës 07.00, A.H. ka filluar të hapë rrugën, duke prishur murin rrethues dhe niveluar baltën. Aty është afruar Thomai me një sëpatë në dorë, i cili i ka thënë që të mos vazhdonte më pasi do të derdhej gjak. Gjatë debatit me Thomain, aty është afruar dhe Klodian Pashako, i cili është kushëriri i Thomait, dhe ka debatuar me të. Më pas ka shkuar në shtëpinë e tij, që e ka ngjitur me atë të J.H., dhe ka dalë që andej me një armë gjahu në dorë. Në fillim Klodiani ka tentuar të qëllojë A.H., por nuk e ka lënë Thomai. Në këtë moment ka ndërhyrë dhe nëna e Klodianit, e cila ka dashur që të pengojë Klodianin. Në momentin që Klodiani po afrohej në drejtimin e A.H. me armë në dorë, A.H. është ulur dhe ai në këtë moment ka qëlluar për në drejtimin e A.H., ku afër tij ndodhej dhe Thomai. Në çast A.H. ka dëgjuar Thomanë të thotë “më vrave”.
Dëshmia në polici
Thoma Pashako ka shpjeguar për hetuesit, se është konfliktuar me A.H. në territorin e banesës së J.H., i cili është vëllai i tij. Në momentin e konfliktit, Thomai ishte nga ana e sipërme e rrethimit, ndërsa A.H. nga ana e poshtme, pasi vendi aty ka një disnivel me lartësi 1,3 metra. Shkak i konfliktit midis tyre është bërë rruga që ka dashur të hapë A.H. në rrethimin e banesës së J.H., për të shkuar në banesën e tij, e cila ndodhet pak metra më larg. Thomai pretendon se është toka e tij dhe kështu ka lindur debati. Thomai, pasi ka debatuar me ta, aty janë afruar Klodian Pashako dhe nëna e tij, dhe gjatë debatit dhe shtyrjeve me njëri-tjetrin Thomai deklaron se është goditur me armë, por nuk e di se kush e ka qëlluar dhe se kush e kishte armën. I është marrë deklarim shtetases L. Pashako, e cila sqaron se e ka parë djalin e saj që të marrë një armë gjahu në tokë te vendi i konfliktit dhe në momentin që ai e ka ngritur, ajo ia ka ulur në tokë dhe arma është shkrehur, duke qëlluar Thomain. Ajo nuk e ka parë se kush e solli armën aty.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: