SARANDË – Kreu i Qeverisë, Edi Rama, e ka vazhduar inspektimin e zonave turistike të vendit edhe sot, duke udhëtuar drejt Sarandës, pas Durrësit e Gjirokastrës dje. Ai i kushtoi vëmendje të veçantë tri projekteve me rëndësi: Impiantit të trajtimit të ujërave të zeza, që i jep zgjidhje përfundimtare ndotjes së ujërave të bregdetit të Sarandës dhe Ksamilit; landfillit në Bajkaj dhe pyllëzimit.

Lidhur me impiantin e përpunimit të ujërave të zeza, Rama tha: “Ky është një investim që çliron Sarandën dhe Ksamilin bashkë, që kishte vite të tëra i bllokuar. Para të tjera të hedhura, si në shumë projekte të tjera me financime të huaja, pa marrë parasysh as se si do të funksionojë, as se si do të mirëmbahet. Është gjë e madhe që u vu në punë. Tani, me investimin e fundit, për të bërë lidhjen deri të hotel “Butrinti”, përfundon dhe mbyllet skema dhe s’ka më ujëra të zeza të hedhura nëpër det e nëpër rrugë”.

Prej vitesh impianti nuk funksiononte, pasi nuk ishte realizuar lidhja e tubacioneve ndërmjet impiantit dhe linjës e kanalizimeve të ujërave të zeza të qytetit.

Vitin e kaluar, falë një investimi të Drejtorisë së Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve nisi puna për përfundimin e projektit dhe vënien e impiantit në funksion.

Ndërsa më pas, Rama vizitoi fshatin Bajkaj, ku po ndërtohet landfilli rajonal për menaxhimin e mbetjeve të ngurta urbane për bregdetin e jugut. Aktualisht ka përfunduar faza e parë e ndërtimit, një investim me vlerë 5.6 milionë dollarë. Kryeministri shoqërohej nga Ministrja e Zhvillimit Urban Englantina Gjermeni. Ata nënvizuan rëndësinë që ky projekt ka për menaxhimin e mbetjeve dhe përmirësimin e kushteve mjedisore në bregdetin e jugut.

Ndërtimi i landfillit në Bajkaj, me kapacitet 365 000 m3, është llogaritur për depozitimin e 25 000 m3/vit mbetje. Me reformën e re territoriale do t’i shërbejë bashkive Sarandë, Himarë dhe Delvinë, si dhe do të sigurojë grumbullimin dhe menaxhimin e integruar të mbetjeve për 20 vitet në vazhdim. Ai do të mundësojë mbylljen e venddepozitimeve ekzistuese të mbetjeve urbane, duke i shërbyer të gjithë zonës bregdetare të jugut. I pajisur me impiantin e përpunimit të ujërave, do të reduktojë maksimalisht ndotjen e ujërave nëntokësore.

Landfilli rajonal i Bajkaj është pjesë e një projekti të financuar nga Banka Botërore për menaxhimin e integruar dhe pastrimin e zonave bregdetare. Infrastruktura dhe rehabilitimi i mjedisit të bregdetit të jugut është komponenti më i rëndësishëm i këtij projekti, me vlerë të përgjithshme vlerë 35 milionë dollarë. Nga ky projekt është financuar me sukses edhe ndërtimin e stacionit të transferimit të mbetjeve në Himarë, me vlerë 608 504 dollarë.

Vëmendje e posaçme i është kushtuar edhe rikthimit të kurorës së gjelbër të qytetit të Sarandës. Me një fond të qeverisë prej 16.6 milionë lekë është bërë pyllëzimi dhe gjelbërimi i kurorës së qytetit. Një sipërfaqe prej 50 hektarë është mbjellë me pishë mesdhetare dhe selvi. Kryeministri Rama, i shoqëruar nga deputetë të zonës, inspektoi punën e bërë në terren.

Drejtori i Drejtorisë Pyjore Sarandë, Kristo Kauri tha se falë këtij fondi, kurorës së Sarandës i janë shtuar 22 mijë pisha dhe 4215 selvi. “Kjo kurorë duhet mbrojtur me çdo çmim. Këtu investimi është 16.6 milionë lekë dhe ishim privilegjuar si Sarandë, që na ndihmuat për këtë.”

Kryeministri Rama theksoi se rifitimi i gjelbërimit në gjithë Shqipërinë është objektiv i qeverisë, ndërsa siguroi se mbështetja do të shtrihet edhe në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e pyjeve.

“Do ta vazhdojmë këtë punë edhe më tutje. Do nxjerrim edhe një fond tjetër për të vazhduar kundërsulmin dhe për të rimarrë situatën përmes gjelbërimit në këtë shkretim të madh që është bërë në gjithë këto vite. Patjetër do të gjejmë edhe mundësinë që të mbështesim për ruajtjen dhe mirëmbajtjen, se pa ruajtjen dhe mirëmbajtjen është gjithçka e hedhur në det. Këtë vit, në vitin e parë kemi mbjellë në tërë Shqipërinë 2.5 milionë fidanë dhe objektivi është që deri në fund të mandatit të shkojmë në 10 milionë, sigurisht në këtë volum, bregdeti zë vendin e vet dhe Saranda zë vendin e vet.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: