Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, tha sot se shumë nga të metat që Britania e Madhe i gjen në Bashkimin Evropian justifikohen dhe se blloku do të ketë nevojë për një traktat të ri, pavarësisht faktit se si votojnë britanikët në referendumin e muajit të ardhshëm, lidhur me qëndrimin apo largimin nga BE.

“Në shumë prej kritikave që adreson, Britania ka të drejtë”, i ka thënë Sarkozy gazetës Le Monde, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.

“Ftohja e njerëzve në raport me Evropën është një shqetësim i madh për të gjitha vendet”, ka thënë ai, duke theksuar se megjithatë ai e kundërshton fuqishëm largimin e Britanisë nga BE-ja.

“Me apo pa Britaninë në BE, ne do të na duhet një projekt i ri evropian dhe këtë duhet ta bëjmë përmes një traktati, që duhet të iniciohet nga Franca, nga vera e vitit 2017”, ka thënë Sarkozy.

Britania e Madhe do ta mbajë referendumin për qëndrim apo largim nga Bashkimi Evropian më 23 qershor. Sidoqoftë, Sarkozy nuk e përkrahë idenë e mbajtjes së një referendumi për Evropën në Francë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: