PARIS– Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy njoftoi se partia e tij Lëvizja Popullore (UMP), forca kryesore e djathtë e opozitës do të quhet tashmë ”Republikane”, hapi i parë i një ndryshimi që parashikon të bëhet operacional para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017.

”Republikanë”, nuk është vetëm emri i ri i një partie. Ajo është thirrja e të gjithë atyre që vuajnë kur shohin Republikën të shkojë prapa dhe që dëshirojnë ta kundërshtojnë këtë rënie me një refuzim të vendosur”, shkroi ai në një thirrje të publikuar në internet një ditë nga një kongres i partisë.

“Republikanë”, është emri i atyre që preferojnë gjithmonë lirinë me të gjitha format e pavarësisë dhe do të zgjedhin gjithmonë hapjen në tërësi kundër izolimit komunitar”, shtoi ai në tekstin me logon e re të partisë, një R tringjyrëshe.

Anëtarët e partisë kryesore të opozitës votuan për mbështetjen e emrit të ri, me 83 për qind pro ndryshimit. Kjo lëvizje solli mjaft debate në Francë, ku kritikët argumentonin se të gjithë njerëzit e Francës janë republikanë.

Sarkozy mund të kandidojë sërish në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017. Sipas një sondazhi, 70 për qind e publikut dhe 40 për qind e mbështetësve të UMP-së, theksuan se asnjë prej partive nuk ka të drejtën të përdorë etiketimin ”Republikanë”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: