Trajneri i Napolit, Mauricio Sarri, në një intervistë të fundit për mediat italiane është shfaqur tepër i zhgënjyer për humbjen që skuadra e tij pësoi në Firence. Me shumë mundësi disfata e shkaktuar nga Fiorentina i ka hequr mundësinë Napolit për të fituar titullin kampion, ç’ka përkthehet në triumfin e 7 radhazi të Juventusit.

Ky dominim absolut sipas Sarrit po i bën keq “Seria A”, pasi po zhgënjen mjaft tifozë të ekipeve të tjera. Italiani bën një krahasim me “Premier League”, por fillimisht zgjedh të mos komentojë atë që ndodhi në derbin e Italisë mes Interit dhe Juventusit.

“Duhet të fokusohemi te fusha e lojës dhe unë nuk dua të mendoj për asgjë tjetër,” shprehet trajneri.

“E vetmja shpresë në jetë është se fundi vjen për të gjithë, herët apo vonë, dominimi do të mbarojë. Më duhet të them se kur shoh ‘Premier League’ dhe fituesit e ndryshëm vit për vit i bën të gjithë të kenë shpresa për sukses.

Këtu në Itali është ndryshe. Rrezikojmë të humbasim shumë tifozë, pasi ata bëjnë tifo për një ekip që nuk ka për të fituar kurrë. Nëse varfërojmë sistemin, atëherë do të varfërohen edhe të pasurit…”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb