Ministria e Mbrojtjes jep sërish informacion për zjarrin në Ishullin e Sazanit, i cili vijon të jetë aktiv prej disa ditësh, dhe ku sot ka nisur ndërhyrja nga ajri me një avion të ardhur në ndihmë nga Greqia.

Ministria njofton se 122 trupa të Forcave të Armatosura, mjete detare, zjarrfikës, etj janë duke punuar për të ndërprerë përhapjen e flakëve.

Ndërkohë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vijon të jetë aktiv prej ditës së djeshme edhe një vatër zjarri në Orosh të Mirditës, ku po punojnë për shuarjen e flakëve 54 forca.

Njoftimi i MM:

Ka nisur prej orëve të para të mëngjesit operacioni nga ajri për shuarjen e zjarrit në ishullin e Sazanit. Avioni Canadair Cl 415, mbështetje nga Greqia dhe Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së i është bashkuar aksionit që po vijon prej më shumë se 48 orësh nga terreni. 122 trupa të Forcave të Armatosura, mjete detare, zjarrfikës, etj janë duke punuar për të ndërprerë përhapjen e flakëve.
Nga ana tjetër 54 forca janë përqendruar në fshatin Elgjin, njësia administrative Orosh në Mirditë, ku prej ditës së djeshme vijon të jetë aktive një vatër zjarri. Së bashku me forcat zjarrfikëse dhe mjetet e vëna në dispozicion po vijojnë operacionin për të mos lejuar që flakët t’u afrohen banesave aty pranë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb