Kancelari gjerman Olaf Scholz thotë se Grupi i Shtatë vendeve kryesore demokratike (G7) do ta bëjë të qartë në samitin e tyre të ardhshëm se Ukraina mund të presë të marrë mbështetjen që i nevojitet “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Në një intervistë me agjencinë gjermane të lajmeve DPA të botuar të shtunën (18 qershor), Scholz tha se dëshiron të përdorë takimin e javës së ardhshme me liderët e tjerë të G-7 në fshatin bavarez të Elmau për të diskutuar perspektivat afatgjata të Ukrainës, raporton Independent.

Kancelari gjerman tha se është “absolutisht e nevojshme” që disa liderë të flasin drejtpërdrejt me presidentin rus Vladimir Putin mes përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, dhe ai dhe presidenti i Francës do të vazhdojnë ta bëjnë këtë.

Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron kanë zhvilluar disa biseda telefonike me Putinin, veçmas dhe së bashku, që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt. Këto kontakte kanë tërhequr disa kritika – duke përfshirë edhe presidentin e Polonisë, i cili kohët e fundit tha se ato nuk arrijnë asgjë dhe i shërbejnë vetëm legjitimimit të liderit rus.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, citohet të ketë thënë Scholz. “Ne duam të sigurohemi që llogaritjet e presidentit rus (Vladimir Putin) të mos funksionojnë”.

“Putin padyshim shpreson se gjithçka do të bjerë në vend pasi të ketë pushtuar mjaft tokë dhe komuniteti ndërkombëtar do t’i kthehet biznesit si zakonisht,” shtoi ai. “Ky është një iluzion.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: