Në përfundim të mandatit të saj në Shqipëri, ambasadorja gjermane Sussane Schütz, thotë se ka lënë pas tre vite emocionuese dhe të mbushura me përjetime si Ambasadore. Përmes një postimi në facebook, ku ndan me ndjekësit, foto nga takimet e lamtumirës me krerë të shtetit, Schütz thekson se do të vazhdoj të angazhohetpër Shqipërinë. Një apel të fundit Schütz e ka edhe për partitë politike, duke qëne se lë vendin tonë në një krizë të thellë politike.

“Në situatën aktuale të gjitha forcat politike do të duhej të kontribuonin në mënyrë konstruktive në krijimin e kushteve për nisjen e shpejtë të bisedimeve të anëtarësimit me BE-në si dhe për të mos humbur objektivin e përbashkët të përafrimit me Bashkimin Evropian, i cili mbështetet nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë. Unë do të vazhdoj edhe në të ardhmen të angazhohem për Shqipërinë dhe fqinjët e saj në rajon në funksionin tim të ri në Berlin.” shkruan Schütz.

Postimi i plotë:

Pas tre vitesh Ambasadorja Gjermane Susanne Schütz kthehet në Berlin. Pak ditë para largimit ajo u takua dhe zhvilloi biseda me zyrtarë dhe politikanë. Me rastin e lamtumirës ajo deklaroi:

„Kam lënë pas tre vite emocionuese dhe të mbushura me përjetime si Ambasadore në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe kam mundur të zbuloj një vend të mrekullueshëm me histori mbresëlënëse, thesare të shumta kulturore e para së gjithash me njerëz të përzemërt. Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që së bashku me mua dhe ekipin tim kanë pasuruar në këto tre vite marrëdhëniet gjermano-shqiptare me besimin dhe angazhimin e tyre personal.

Në tre vitet e shkuara kam parë një Shqipëri, që ka nisur me kurajo reforma të rëndësishme, në mënyrë të veçantë atë në sistemin e drejtësisë. Tani do të jetë e rëndësishme që Shqipëria të vijojë më tej këto reforma e të luftojë edhe më e vendosur e më me efektivitet kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Sepse të gjithë ne e ndjekim me vëmendje objektivin e një Shqipërie, ku parimet demokratike, shteti ligjor dhe të drejtat e njeriut të mbahen lart duke ecur me sukses në rrugën e përafrimit me Bashkimin Evropian. Ndaj në situatën aktuale të gjitha forcat politike do të duhej të kontribuonin në mënyrë konstruktive në krijimin e kushteve për nisjen e shpejtë të bisedimeve të anëtarësimit me BE-në si dhe për të mos humbur objektivin e përbashkët të përafrimit me Bashkimin Evropian, i cili mbështetet nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë. Unë do të vazhdoj edhe në të ardhmen të angazhohem për Shqipërinë dhe fqinjët e saj në rajon në funksionin tim të ri në Berlin.“

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb