Para se të gjithë ish-deputetët e PD-së të dalë nga zgjedhjet e 2017-ës të shkojnë në degët ku janë caktuar për t’u konsultuar nga anëtarësia dhe të konfirmohen apo të skualifikohen nga ta, selia blu u kërkon të gjithë ish-deputetëve të plotësojnë një deklaratë personale.

Në atë deklaratë, secili duhet të konfirmojë se pavarësisht se çfarë do të ndodhë në fazën e tretë, pra nëse do të konfirmohet apo jo, çdo individ duhet të punojë për maksimalizimin e votave dhe për fitoren e thellë të PD-së. Po ashtu, çdo ish-deputet duhet të firmosë deklaratën në të cilën zotohet se nuk do të bëjë kundërfushatë për kandidatët e tjerë dhe nuk do të përdorë retorikë përçarëse në publik.

“Do të mbështes Partinë Demokratike të Shqipërisë, pavarësisht nga ecuria e mëtejshme e garës së brendshme, duke dhënë të gjithë kontributin tim për fitoren e thellë të saj. Nuk do të përfshihem në asnjë retorikë që sjell diferencime dhe përçarje brenda partisë. Nuk do të ndërmarr asnjë veprim kundër kandidatëve të tjerë në garë dhe angazhohem të mos bëj asnjë koment negativ për ta. Nuk do të përfshihem në asnjë praktikë të ndaluar që dëmton garën e lirë, të ndershme dhe të barabartë brenda partisë. Do të kujdesem për realizimin e një procesi të rregullt të konfirmimit të kandidatëve dhe nuk do të kryej asnjë akt që dëmton procesin”, shkruhet në deklaratën personale të çdo ish-deputeti të siguruar.

Pas përfundimit të procesit të konsultimit me anëtarësinë, kandidatët e listës së veçantë kombëtare që konfirmohen nga anëtarësia, i nënshtrohen vlerësimit përfundimtar të Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve në fazën e tretë, ku sipas metodologjisë së vlerësimit të miratuar në datën 5 gusht, secili anëtar i Komisionit voton bazuar kryesisht në vlerësimin e performancës politike të kandidatit dhe mundësinë e maksimalizimit të votës. Pas këtij vlerësimi përfundimtar, vetëm kandidatët që kalojnë fazën e tretë i dorëzohet për vendimmarrje finale kryesisë së partisë.

Deklarata E Kandidatit (1)
Deklarata E Kandidatit (1)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: