NGA TIMOTHY GARTON ASH
Nëse Moska nuk tërhiqet dhe Kievi nuk rimerr kontrollin e kufirit lindor, ne mund të shohim së shpejti një tjetër Siri në Evropë. “Kurrë më!” – bërtitën evropianët pas Luftës së Parë Botërore. Pastaj ndodhi përsëri. “Asnjëherë nuk do të përsëritet” – thirrën evropianët pas vitit 1945; pastaj ndodhi përsëri. “Kurrë më!” – bërtitën prapë evropianët pas luftës në Bosnje në vitin 1995, por e njëjta gjë po ndodh tani sërish.

Shpresoj, po aq sa dyshoj, se marrëveshja e armëpushimit në Minsk, e ndërmjetësuar nga përpjekjet heroike të Angela Merkelit, do të na çojë drejt paqes. Por edhe në rast se nuk do të ketë gjasa të ndodhë, shikoni prej çfarë kemi lejuar të ndahemi tanimë.

Një tjetër vend i Evropës u “shqye” me forcë. Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 5400 vetë janë vrarë, më shumë se 13 mijë të tjerë janë plagosur, dhe 1.6 milionë persona janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Rusia ka aneksuar zyrtarisht Krimenë, pjesë e një shteti fqinj sovran. Marrëveshja e armëpushimit e javës së kaluar “Minsk 2”, thotë se Ukraina duhet të rimarrë kontrollin e plotë të kufirit lindor të saj me Rusinë vetëm në fund të këtij viti, dhe vetëm nëse ajo mban zgjedhjet e reja, e nëse jep një “status special” kushtetues për rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut.

Dokumenti gjithashtu thotë se qeveria e Kievit duhet të vazhdojë të paguajë pensionet, pagat dhe “faturat e shërbimeve” për këto rajone. Mendoni pak: ju lejoheni të kyçni derën e pasme të shtëpisë tuaj, vetëm nëse hiqni dorë nga dhoma juaj e ndenjes dhe ia lëshoni dikujt, që është duke mbajtur një armë në kokën tuaj dhe për me tepër ju duhet të paguani qiranë e tij.

Njerëzit e arsyeshëm mund të mos pajtohen mbi mjetet më të mira për t’iu kundërvënë një agresioni të tillë të paturpshëm, por të paktën ne s’duhet të kemi iluzione për atë që po ndodh para syve tanë. Vladimir Putini ballafaqohet me Bashkimin Evropian, qëllimisht me një mënyrë të ndryshme, më të vjetrën e të keqen evropiane të të bërit politikë. Forca është e drejta. E zeza është e bardhë. Lufta është rikthyer si mjet kryesor, ndërsa ligji çalon në baltën e një grope si një refugjat i plagosur. E gjitha kjo në një vend, integritetin territorial të të cilit Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania (e kujt ia ndjen për Britaninë këto ditë), solemnisht u betuan ta mbështesnin në vitin 1994 me Memorandumin e Budapestit, në këmbim të një Ukraine të re, e cila binte dakord të hiqte dorë nga një prej rezervave më të mëdha në botë të armëve bërthamore.

Po citoj: “Federata Ruse, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe e Irlandës Veriore si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rikonfirmojnë angazhimin e tyre … për të respektuar pavarësinë, sovranitetin dhe kufijtë ekzistues të Ukrainës”. Nënshkruar nga Boris Jelcin, Bill Klinton dhe Xhon Mejxhër.

Imagjinoni mësimin që kjo thyerje e besimit do të dërgojë tek fuqitë e tjera bërthamore, ose ato që do të bëhen në të ardhmen: çdo gjë që ju bëni, mos i besoni fjalës a ndonjë deklarate të tillë, dhe mos i dorëzoni armët bërthamore.

Ligji i xhunglës në Moskë ballafaqohet me xhunglën e ligjit në Bruksel. Kush po fiton? “Rusia është e fituar” përgjigjet “realisti” i mirënjohur amerikan, Xhon Mearshaimer. Pra, çfarë duhet të bëjmë për këtë? “Perëndimi duhet të tentojë ta bëjë Ukrainën, një shtet tampon neutral midis Rusisë dhe NATO-s. Ajo duhet të duket si Austria gjatë luftës së ftohtë. Drejt këtij qëllimi, perëndimi duhet të heqë dorë në mënyrë të hapur nga zgjerimi në lindje i Bashkimit Evropian dhe NATO-s”.

E pra, ju falenderoj Profesor Realisti. Ndoshta ju do të donit të nënshkruanit një marrëveshje me vetveten? Ne kemi vendin e përkryer për takimin tuaj të realpolitikës: Jalta, ku në vitin 1945 Frenklin Delano Ruzvelt dhe Uinston Çërçilli i dhanë një legjitimitet të dykuptimtë pushtimit sovjetik të Europës Lindore. Kjo është tani Jalta në Krimenë e aneksuar. Çfarë të drejte kemi ne të udhëzojmë vendet e tjera të pavarura sovrane, të jenë shtete neutrale tampon?

Geri Kasparov, i cili e njeh Rusinë disi më mirë se Mearshaimeri, kohët e fundit shkroi në tuiter: “Realistët duken të lumtur, teksa dënojnë miliona ukrainas si të burgosur përjetë në territorin e pushtuar. Dhe kjo në Evropën e shekullin e XX-të”. Ditën tjetër, unë fola me Kasparovin mbi situatën në Ukrainë. Ai kishte qenë në Kiev për të përkujtuar 20-vjetorin e memorandumit të vitit 1994, dhe qasja e tij ndaj kësaj tragjedie është e guximshme dhe origjinale, sikurse loja e tij në shah.

Ai këmbëngul se ai që po shohim nuk është një konflikt midis Ukrainës dhe Rusisë. Përkundrazi ai e sheh atë si një garë midis dy Rusive. Me një ekzagjerim poetik, ai i quan rusët kievianë dhe Hordhia e Artë.
Edhe nëse i marrim për të besueshme sondazhet e opinionit publik, që sugjerojnë se Putini gëzon popullaritet shumë të lartë në Rusi, ne nuk duhet të bëjmë gabim duke ngatërruar Putinin me Rusinë. Adolf Hitleri gjithashtu ka gëzuar popullaritet të madh dikur, ashtu si edhe Sllobodan Millosheviçi. Popujt mund të udhëhiqen drejt shtigjeve katastrofike, sidomos kur një propagandë e aftë arrin të shfrytëzojë mitet e lashta dhe plagët kombëtare.

Ca vite më vonë, kombi zgjohet dhe fillon të paguajë çmimin. Të jesh kundër Putinit nuk do të thotë se je anti-rus. Përkundrazi do të thotë të jesh një pro-rus më largpamës: të mbështesësh ata rusë që përfaqësojnë Rusinë tjetër. Vini re se Putini po shkel parimin për të cilin ai ka insistuar gjithnjë, se duhet të jetë themeli i marrëdhënieve ndërkombëtare: sovraniteti i pakushtëzuar i shteteve.
Këto janë gjepura – mund të pretendojë dikush – për vendet që pushtuan Irakun për të rrëzuar të tjerët për shkak të shkeljes së sovranitetit. Për të cilat përgjigja është: po, pushtimi anglo-amerikan i Irakut ishte i gabuar, ligjërisht, moralisht dhe strategjikisht.

Por është po aq e vërtetë që dy padrejtësi nuk bëjnë një të drejtë.
Të tjerë mund të nxjerrin në pah se në Siri kemi fushat vrastare, që e bëjnë Ukrainën të duket thuajse një vendi i qetë, dhe ku OKB-ja numëron jo më pak se 3.8 milionë refugjatë. Çfarë po bën Perëndimi për këtë? A kanë jetët e arabëve më pak vlerë, sesa ato të evropianëve, myslimanëve sesa të krishterëve? Çdo javë unë zgjohem duke menduar: “a nuk duhet të shkruaj diçka mbi Sirinë?”

Por veç faktit që unë di shumë më pak për Lindjen e Mesme sesa për Evropën, ajo që unë do të mësoj prej ekspertëve, nuk do të më tregojë ndonjë gjë të madhe për të ecur përpara.

Aty duket se ka shumë grupe në terren, të mbërthyera në një konflikt dhe të mbështetura nga shumë fuqi të huaja (duke përfshirë edhe Rusinë që mbështet Bashar Al-Asadin).

Në rastin që unë po trajtoj, për të gjithë kompleksitetin e Ukrainës, ka një rrugë përpara. Ajo mund të përmblidhet në pak fjalë: Putin duhet të tërheqë forcat e tij dhe Ukraina duhe të rivendosë kontroll e plotë mbi kufirin e saj lindor. Pra, ndryshe nga situata në Siri, elementi kyç qëndron tek një aktor publik i vetëm, që ndryshon sjelljen e tij. Për të qenë të sigurtë, kjo nuk do të ndalte brenda natës separatistët e zemëruar, të cilët luftojnë për Republikën e tyre Popullore të Donnjeckut.
Në Ukrainën Lindore, si në Bosnje apo Siri, brutaliteti i radikalizuar i luftës, i ka kthyer fqinjët në armiq. Artit i qeverisjes së madhe dhe pastaj imagjinata do të kërkohet nga Kievi, për të rindërtuar një shtet në mënyrë efektive sipas sistemit federal, epokë në të cilën njerëzit të cilët e identifikojnë veten si rusë do të mundin sërish të ndjehen në mënyrë të arsyeshme në shtëpinë e tyre. Por rruga për çdo paqe të qëndrueshme, fillon me ato pak fjalë.
/THE GUARDIAN/Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: