Qani Muça, 55-vjeçari që plagosi me armë zjarri tre ditë më parë punonjësin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Ilirjan Gavelli, doli sot para trupit gjykues.

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për  Muçën, i akuzuar për “tentativë vrasje ndaj funksionarëve publike” mbetur në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje”.

Në gjykatë Muça ka hedhur akuza të forta, duke pretenduar se arma nuk ishte e tij, por e punonjësit të IMT-së. Sipas tij, konflikti ka lindur pas provokimit të inspektorit, që i ka thënë se “nuk deshe të marrësh hyrje, rri mes 4 rrugëve tani”.

Ndërkohë Muça ka pretenduar se punonjësit e IMT-së i kanë vjedhur edhe rreth 80 mijë euro, që i ka pasur të fshehura në godinë.

Ndërkohë në dëshminë e tij për policinë, Gavelli kishte deklaruar se kishte tentuar t’i hiqte pistoletën nga dora dhe në këtë moment arma është shkrepur dy herë.

“Unë instiktivisht jam hedhur dhe ja kam kapur pasi isha në distancë 2-3 metra larg tij. Në momentin që i kam kapur armën, ai e ka shkrepur dhe kam ndjerë që plumbi më preku në pjesën e barkut. Kam vazhduar të përleshem me të për t’i hequr pistoletën, por mesa mbaj mend pistoleta ka shkrepur për herë të dytë, ndërsa unë vazhdoja ta mbaja të bllokuar nga duart”, dëshmoi punonjësi i IMT-së në polici.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb