Thirrje të dëshpëruara për ndihmë vijnë nga një i moshuar nga Durrësi, banesa e të cilit ka pësuar dëme dhe ai ndodhet në mes të katër rrugëve. Në një prononcim për gazetarin e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Ergys Gjençaj qytetari prek me fjalët e tij, ndërsa kërkon një çadër që të fusë kokën pasi po bën 5 ditë pa gjumë.

Mes lotëve dhe britmave 70-vjeçari shprehet se askush nuk ka shkuar në pallatin e tij që të bëjë një vlerësim të gjendjes, nëse është i pabanueshëm apo jo.

“Banoj në pallat. Qysh në 26 e deri më sot nuk ka ardhur kush që ta shoh. Jam pa gjumë (qan). Nuk dua as rroba as gjë. Dua vetëm të di; a do të jetojë brenda, apo të shkoj të mbys veten në ndonjë kanal. S’ka ardhur njeri. Kam bërë raportim. Pallati ka plas brenda dhe poshtë. S’vjen njeri që të shoh. Ku do të shkoj, ta di të paktën. tërmeti ka rënë prapë. Ku të shkoj tjetër? Ju lutem, të paktën të më japin vetëm një çadër, që të bie në gjumë në mes të rrugës. Ju lutem shumë, të vijnë të shikojnë. S’dua as rroba as bukë, as lekë. Jam pa gjumë prej 5 ditësh. Kemi bërë denoncim dhe askush nuk ka ardhur. Jemi në mes të rrugës. Jam 70 vjeç, ku të shkoj ku të mbytem? Nuk kam ku me shku”, tha i moshuari.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb