Në prag të supersfidës së nesërme ndaj Kukësit, në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 16:45, në konferencën për shtyp është shfaqur trajneri i Partizanit, Ilir Daja, i cili ka analizuar këtë takim për të kuqtë:

Zhvendosja e Kukësit në Durrës – “Jo vetëm me Kukësin, por edhe me ekipet e tjera si Dinamo, është kjo vështirësi, por kemi rënë dakord mes stafeve, që në javët e përballjeve direkte dikush zhvendoset, ose nuk stërvitemi në të njëjtin orar. Kukësi është një skuadër e vështirë, që mban shumë topin dhe organizon manovrën nga mbrapa, ndaj ka një meritë edhe trajneri, që ka ditur t’u marrë më të mirën futbollistëve në dispozicion. Edhe ne kemi meritë për atë që kemi bërë në javët e fundit dhe e kemi përgatitur shumë mirë përballjen e nesërme, ndonëse kemi pasur mungesa për shkak të virozave. Kemi edhe seancën e fundit për të vendosur për formacionin dhe do të shkojmë në Shkodër për tre pikë.”

Mungesat – “Pothuajse ka munguar komplet boshti i ekipit, duke filluar nga kapiteni Alban Hoxha, por edhe lojtarë të tjerë. Natyrisht që eksperienca e tyre dhe angazhimi në boshtin e ekipit, janë të rëndësishme, por jemi munduar t’i zëvendësojmë denjësisht. Edhe nesër shpresoj t’i zëvendësojmë sa më mirë dhe uroj të mos na shoqërojnë më këto problematika.”

Dhurata për tifozët – “Luajmë me vendin e parë dhe të dytë në klasifikim, pasi kështu ka koiciduar kalendari, por do të thosha se nesër duhet të futemi në fushë vetëm për ta fituar ndeshjen, pasi vetëm në këtë mënyrë do të merrnim një qetësi psikologjike. Nuk e mendojmë derbin e të enjtes, pasi edhe ajo ndeshje vlen tre pikë, sa Kukësi apo të tjerat, megjithatë do të luftojmë fort që të shkojmë më të qetë në atë përballje.”

Gara për titull – “Nuk do të përmendim më fjalën kampion apo titull, pavarësisht se jemi ndërtuar për objektiva madhorë. Fjala jonë është rikuperimi, pasi duhet të rikuperojmë defektet dhe gabimet që kemi bërë në fazën e parë. Distanca me kreun është e madhe, por jo e parikuperueshme, pasi që nesër luajmë me vendin e dytë dhe marrja e një fitoreje do të thotë që mund të rikuperojmë jo pak.”

Situata e këtij sezoni me atë të kaluar – “Presioni për të marrë patjetër fitoren, bën që shpesh lojtarët të mos japin atë që kanë, pasi ana psikologjike shndërrohet në një element frenues. Është një situatë pak a shumë e njëjtë me vitin e kaluar, pasi kemi vetëm dy pikë më pak me Partizanin e vitit të kaluar, kur kishim merkaton e bllokuar, por këtë sezon kemi ndërtuar një ekip nga e para, me shumë lojtarë të rinj. Ne nuk do të heqim dorë nga pretendimet, pasi jemi edhe në çerekfinale e Kupës së Shqipërisë, por fillimisht duhet të konsolidojmë veten në rezultate dhe lojë, për të shfaqur më mirë potencialin që kemi. Për momentin nuk na lejohet të përmendim fjalën titull.”

Merkato – “Po punon drejtori i klubit për merkaton e janarit dhe po shqyrtojmë disa alternativa. Nuk do të bëjmë ndonjë ndryshim radikal, pasi ne kontigjenti nuk na mungon, por thjesht kemi vuajtur nga dëmtimet e shumta dhe sigurisht përshtatja, pasi shumë futbollistë kanë ardhur në verë. Do të fokusohemi aty ku kemi më shumë nevojë, por nuk do të afrojmë lojtarë të të njëjtit nivel. Nëse duhet të marrim futbollistë, do të kërkojmë elementë që mund të bëjnë diferencë, gjë që është e vështirë në janar.”

Kush përzgjedh lojtarët, trajneri apo drejtori sportiv? – “E gjithë bota bashkëpunon në çdo sektor, ashtu edhe në futboll. Nëse secili bën punën e vet, në hapësirën e vet, sigurisht shumë më mirë. Marrëdhëniet me menaxherët i ka drejtori, pasi nuk mundet të merret me këtë punë trajneri, por ne punojmë si staf. Kemi dhënë përshkrimet dhe karakteristikat e lojtarëve që duam dhe më pas të gjithë së bashku do të konsultohemi për të marrë një vendim. Bashkëpunimi është çelësi i suksesit.”, përfundoi Ilir Daja. Panorama Sport
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: