Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i ftuar në “Frontline” në ‘News24’ deklaroi se me protestën e 6 dhjetorit të thirrur nga Partia Demokratike, me rëndësi është fakti që mos të krijohen keqkuptime, pasi në këtë datë do të mbahet në Tiranë dhe samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Përballë gazetares Marsela Karapanço Mediu tha se Rama e ka privatizuar si çështje e integrimit të vendit drejt BE, që është një nga nismat e partive të djathta në vend.

Ndër të tjera Mediu theksoi se opozita nuk ka marrë asnjë ftesë deri më tani për të pasur zë në këtë samit, ndonëse drejton dhe Komisionin e Integrimit, ku drejtuese është deputetja e PD-së, Jorida Tabaku.

“Siguria do të jetë një nga çështjet më të rëndësishme. Janë analiza që bëjnë ekspertët e SHBA dhe BE. Ka shqetësim të shtuar të BE për situatën që ndodh në Ballkan, siç është mosdakordësia mes Serbisë dhe Kosovës. Samiti është samit i shqiptarëve me BE. Nuk është samiti i Ramës me BE. Si forcë politike ka qenë PD dhe partitë e djathta që ecën me idenë që; ta bëjmë Shqipërinë si Europa. Rama po përpiqet që të ‘privatizojë’ këtë çështjes. Opozita duhet ta çmojë këtë samit si të rëndësishëm. Zgjatja pa fund me vite me radhë e këtij procesi është faj i qeverisë, PS. S’ka asnjë ftesë për diskutimin e përbashkët, për PD. Kur është bërë samiti i NATO-s në Bukuresh apo Strasburg, apo në Bruksel, opozita ka qenë prezente. Duket se Ramës i intereson që të ketë një qasje tjetër të opozitës dhe përjashtimin e saj. Çdo ditë do ishte gjë e mirë që të bëhej protestë në vendin tonë. Besoj se Berisha kërkon që t’i tregojë BE për të denoncuar qeverisjen, që të ketë qëndrim thelbësor për çështjet që ka Shqipëria.

Opozita duhet të jetë permanente për të diskutuar çështjes që janë me rëndësi, ne kemi eksperiencë për këto gjëra. Çdo komunikim i drejtpërdrejtë opozitës është me i vlefshëm. Me rëndësi është se çfarë narrative duhet të ndërtojmë. Duhet të ndërtojmë një narrative zgjidhje dhe partneritet, por nuk duhet të krijojmë keqkuptime. Nuk kemi komunitetin që të krijojmë keqkuptime shtesë. Çdo organizim duhet të negociohet. Nuk mendoj se do të ketë incidente, por do të jetë paqësore dhe me rëndësi është mesazhi që përcjell në mbështetje të integrimit të vendit në BE. E vetmja pikëpyetje që kam është pamundësia për të shpjeguar keqkuptime të mundshme. Shpesh ndodh që kur merr një qëndrim sa më realist, mund të kesh opinione të ndryshme. E kam mbajtur këtë qëndrim dhe në momente të tjera. Rama i pret BE në 6 dhjetor edhe falë ndryshimeve që bëmë ne. Duhet të bëjmë një analizë në raport me veten se kush janë veprimet. Që të ketë protestë çdo ditë në Shqipëri ndoshta është e pamjaftueshme.”, tha Mediu.

Po ashtu Mediu tha edhe një herë se nuk do ishte pjesë e protestës, duke shtuar se do të jetë në SHBA, për një vizitë zyrtare.

“Është e rëndësishme që të mos shoqërohet me keqkuptime në raportet tona ndërkombëtare. Ne kemi nevojë për partnerët ndërkombëtar, pavarësisht nga ngërçi që mund të kemi në momente të caktuara.
Nuk do të jem në Tiranë për arsye se do jem në Washington për një vizitë zyrtare, si përfaqësues i opozitës.
Do të mendoja që ajo që do të ishte e nevojshme për një funksionim normal opozitar, vendimmarrjet kur flitet për protestë opozitare të jenë në diskutim opozitar, për fat të keq ne nuk e kemi një organizim të opozitës ku flitet për çështjet dhe duhet të krijojmë federatën opozitare ku peshën qëndroje e pa PD, dhe këtu përfshi të dyja krahët.

Ka disa veprime opozitare që kanë çeduar në rrugëtimin tonë politik. Opozita nuk ka pasur diskutim të brendshëm se kush do ishte qasja politike që do të kishte për Presidentin e vendit. Ecim në mënyrë preferenciale. Ndonjëherë edhe disa ligje kanë qenë autogola të dëmshëm për opozitën. Unë mendoj se opozita duhet të kishte shtruar në parlament debatin për këto çështje që do diskutohen në Samitin e BE-Ballkani Perëndimor, dhe qëndrimin e Shqipërisë. Është mirë që t’i shtrojmë brenda opozitës, për t’i parashtruar në parlament dhe më pas në raport me qytetarët. Ajo që them unë që duhet patjetër të organizohet duhet të tejkalojmë qasjet personale, të vijmë në qasje opozitare. Është bërë një ftesë aleatëve të jenë pjesë e protestë. Por që aleatët të shkojnë si qytetarë është zgjedhja e tyre, por që ata të shkojnë në raport politik duhet të ketë një diskutim normal politik sa i përket aktivitetit çfarë bëhet dhe ku bëhet. Mos vijmë te vendimet e faktit të kryer, se në verime të formës së kryer ishim edhe kur dogjëm mandatet”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb