Ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, ishte i ftuar këtë të martë në emisionin “FrontLine” të drejtuar nga gazetarja Marsela Karapanço.

Ai tha gjatë fjalës së tij, se nisma Ballkani i Hapur duhet të zëvendësuar nga procesi i Berlinit që mbështetet nga Bashkimi Evropian.

Sipas Shehut, ardhja e komisionerit për zgjerimin, Oliver Varhelyi, në takimin e sotëm në Tiranë nuk ishte për të shprehur mbështetjen e BE ndaj nismës Ballkani i Hapur, por një mbështetje personale. Shehu theksoi edhe më tej se marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë duhet të jenë normale, por pa harruar raportet e saj me Kosovën dhe gjenocidin që ajo s’e pranon.

“Zaevi duhet të bëjë një debat me Vuçiç, sepse ai ka thënë që është një projekt i tillë. Rama është thjesht një zëdhënës në këtë nismë. Të gjithë vendet e Rajonit do të duan të ulen në një tryezë duke pasur në krye të tavolinës Brukselin dhe jo Vuçiç.

Nëse Brukseli do e mbështeste zyrtarisht këtë gjë do të ishte një lajm i keq për Shqipërinë sepse do të përkthehej në një vonesë të integrimit të Shqipërisë në BE. Në një politikë negative të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor. Fatmirësisht nuk është kështu, s’ka asnjë marrëveshje nga Brukseli. Që BE të marri një pozicion zyrtar dhe të mbështetësi Ballkanin e Hapur duhet një vendim zyrtar i KE, e jo një intervistë e komisionerit. Këshilli Evropian mbështet procesin e Berlinit. Themeli i Ballkanit të Hapur është politik, jo ekonomik, është një nismë e lëshuar nga Vuçiç 10 vite më para. Kosova duhet konsoliduar si një shtet sovran. Zoti Rama gabimin më të madh ka bërë që foli për bashkimin e Serbisë dhe Kosovës, por ky ishte një bashkim për Kosovën e copëtuar.

E këtu hapej çështja e ndryshimit të kufijve. Ju e patë se çfarë ndodhi me Serbinë dhe Malin e Zi. E patë ça ndodhi në kufirin e Kosovës. Të hapësh sot debate dhe diskutime është një mënyrë për të shkarkuar. Këtu po flasim për veprime të tilla. Kur ngrihesh kundër një projekti të Brukselit edhe ata i lodh. Ato janë të gjitha veprimtari për të fshehur të vërtetën. Të vërtetën që ky projekt është një urë lidhëse me Moskën. Të kërkosh të fusësh Italinë, Greqinë që janë pjesë e BE nuk është e mundur. Mendoni se ata do të futen në një projekt të udhëhequr nga Vuçiç? Është iluzion kjo gjë. Nëse ky projekt gjen përkrahje sociale do të jetë fatkeqësi e madhe. Ne duhet t’i themi partnerëve tanë të mëdhenj se cilët janë interesat tona”, tha Shehu.

Më tej, ish-ministri theksoi se Ballkani i hapur është një nismë ku në epiqendër ka tregtinë e përbashkët dhe qëllimin e Serbisë për të shtuar më shumë influencën e saj në Ballkan.

“Ne duhet të kemi marrëdhënie normale me Serbinë, por marrëdhënia jonë me ata e para nuk duhet të tejkalojë elementët e marrëdhënieve Serbi-Kosovë dhe ende nuk kanë dalë nga qerthulli i gjenocidit. Ne me ta duhet të kemi marrëdhënie normale shtetërore. Ekonomia është e lidhur me politikën, influenca politike që do të vendosi Serbia është që të dërgojë në influencë ekonomike. Heqja e taksave doganore bën që të shtohen importet serbe. Serbia në prodhimet bujqësore subvencionohen fort nga shteti, ato shkatërrojnë fermerin shqiptar. Varhelyi mbështeti vetëm aspektin tregtar, atë të përbashkët rajonal që është derivat i procesit të Berlinit”, tha Shehu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb