Drejtori i “News24” dhe “BalkanWeb”, Robert Rakipllari i ftuar në studion e emisionit “Open” ka folur në lidhje me betejën elektorale për bashkinë e Shkodrës në 14 Maj, teksa ka thënë se kjo bashki, së bashku me Lëvizjen e Dhjetorit dhe partinë Demokratike janë tre fiksimet e kryeministrit Rama, të cilat ai kërkon t’i ketë me domosdo.

Sakaq, ai shtoi se PS kërkon ta ketë bashkinë e Shkodrës si diçka simbolike, gjë që do përpiqet ta bëjë duke përfshirë edhe faktorë si deputeti Agron Çela që u transferua nga Partia e Lirisë te ajo Socialiste.

Sipas tij bashkia e Shkodrës është një” bastion anti-komunist” që historikisht ka votuar kundër qeverisë, ndërsa shtoi se sa më shumë të përpiqet qeveria për ta kapur këtë qytet aq më shumë rezultati i votimeve do jetë në favor të demokratëve.

“Unë mendoj se kryeministri ka shumë pushtete në vend. Mendoj se bashkia e Shkodrës i shton diçka reale PS-së që ka çdo pushtet në vend. Është simbolike mendoj. Kryeministri ka disa fiksime, është Shkodra si një fiksim, është lëvizja e Dhjetorit ku ai do të dalë protagonist se s’bën edhe pse s’ka qenë, është dhe PD, që ai kërkon ta ketë.

PS në Shkodër është përpjekur të bëjë të gjithë përpjekjet e veta duke luajtur në sferën lokale me faktorë si Agron Çela për të marrë Shkodrën, por unë besoj se Shkodra është një bastion anti-komunist, dhe nuk besoj se rezultati i votimeve do pasqyrojë shumatoren e votave, sa më shumë të përpiqet qeveria për ta kapur Shkodrën aq më shumë do jetë rezultati në favor të demokratëve. Janë anti-komunistë dhe gjithmonë në votimet e tyre, pavarësisht si është sjellë pjesa tjetër, kanë votuar kundër qeverisë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb