Një aeroplan i ushtrisë amerikane u rrëzua të hënën në lindje të Afganistanit. Lajmi u konfirmua nga ushtria e Shteteve të Bashkuara.
Zëdhënësi i forcave amerikane në Afganistan, kolonel Sonny Leggett, tha se aeroplani ushtarak, E-11A, është rrëzuar në provincën Ghazni, ndërkohë që vijojnë hetimet për të sqaruar shkakun e ngjarjes.

“Derisa hetimet janë duke u zhvilluar, nuk ka indikacione se rrëzimi është shkaktuar nga zjarri i armikut”, tha Leggett. Ai nuk dha informacione për viktima.

Më herët, autoritetet lokale në Afganistan i thanë Radios Evropa e Lirë se një aeroplan pasagjerësh është rrëzuar në provincën Ghazni, me rreth 83 njerëz në bord. Guvernatori i provincës Ghazni, Wahidullah Kalimzai, tha se aeroplani i përkiste kompanisë kombëtare ajrore Ariana Airlines. Megjithatë, kompania shtetërore mohoi se avioni i saj është rrëzuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb