Deputeti i PD-së Ervin Salianji, në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, tha se Partia Socialiste po tenton që të ngadalësojë procesin, një përpjekje kjo sipas tij që është e pritshme.

Më tej Salianji kërkoi që media të jetë e pranishme në këtë Komision pasi është një çështje që prek gjithë opinionin publik.

“Përpjekja e PS-së për të penguar punën është e pritshme, padiskutim që tregon para opinionit që është shqetësim për ta. Por Komisioni është një çështje sensitive dhe duhet ecur me shpejtësi. Kisha edhe një kërkesë, media të jetë e pranishme gjatë gjithë kohës, pasi Covid nuk është çështje që futet me minuta”, tha Salianji.

Kryetari, Enkelejd Alibeaj u shpreh se rregullorja në Komision është standarde dhe se nuk ka asnjë ndryshim nga rregulloret e komisioneve të tjera.

Gjithashtu Alibeaj theksoi se afati i Komisionit Hetimor do të jetë tre muaj.

“Të gjithë anëtarëve të Komisionit do t’i lihet një kohë e dobishme për të bërë plotësimet që duhen. Plani nuk miratohet sot. Ndërsa sa i përket rregulloreve, ato janë standarde dhe vetëm pasqyrojnë përmbajtjen e aktit bazë. Nuk ndryshon aspak nga rregulloret e Komisioneve të mëparshme, dhe për këtë çështje do të keni të gjithë të drejtën për të folur”, tha Alibeaj.

Më tej Alibeaj u shpreh se plani i hetimit nuk do të miratohet ditën e sotme.

Ndërkohë gjatë fjalës së saj Blerina Gjylameti kërkoi kohë për analizuar një plan përfundimtar të këtij hetimi paraprak.

“Sapo na erdhi plani paraprak i hetimit dhe ne do të na duhet koha jonë që ta analizojmë në mënyrë që plani përfundimtar i hetimit të jetë një plan definitiv në funksion të saj që duam të realizojmë”, tha deputetja Blerina Gjylameti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb