Parlamenti ka miratuar pas një seance maratonë që ka zgjatur mbi 14 orë miraton projektin e Portit të Durrësit! Projekti u votua me 76 vota pro dhe 35 kundër, ndërkohë që kryeministri Edi Rama nuk ishte i pranishëm.

Gazetari Ergys Gjençaj bëri me dije se projekti për ndërtimin e portit të Durrësit kaloi me 76 vota pro, (74 elektronikisht dhe 2 me kartonë), dhe 35 kundër, ndërsa buxheti për vitin 2023 u miratua me 77 vota pro dhe 35 vota kundër.

Projekti parashikohet të zhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2, që nga investimi i kalon në pronësi kompanive. Parashikohen 12 000 apartamente dhe 2 hotele me 850 dhoma në total. Faza e parë nis në 2023 e zgjat për 5 vite, investimi është rreth 1 miliardë e gjysmë euro dhe marrëveshja ka një jetëgjatësi prej 35 vitesh, nga e cila qeveria ka 33.3% të dividentit.

Seanca e djeshme u shoqërua me debate, ku kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha mori fjalën i pari dhe kërkuar që çdo deputet i Partisë Demokratike të flasë 10 minuta në lidhje me projektligjin e Portit të Durrësit.

Por kjo kërkesë nuk u pranua fillimisht. Pas rrëzimit të kërkesës, Berisha dhe deputetët e PD-së kanë bllokuar foltoren e Kuvendit. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla duke iu përgjigjur opozitës tha se Berisha po e bënte këtë gjë pasi është i shpallur non-grata dhe nuk do t’i lejohet as të pijë kafe në portin e ri e jo më të blejë apartamente. Berisha nga ana tjetër e akuzoi Ballën për vrasjen e avokatit Ravik Gurra.

Pas debateve, maxhoranca u tërhoq duke lejuar deputetët e opozitës të flasin.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria shqiptare ka pranuar vetëm 5 nga 33 kërkesat e investitorit arab, Mohammed Alabbar për të ndërtuar Portin e Ri të Durrësit. Amandamentet e opozitës për ndryshimet në projektbuxhetin e vitit 2023, gjithashtu nuk u kaluan nga maxhoranca, duke përfshirë këtu akcizën e birrës, etj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: