Ashtu siç u njoftua edhe mbrëmjen e kaluar, Partia Demokratike do të ndjekë sot në sallën e Kuvendit seancën maratonë, duke mos e bojkotuar.

Në një raportim për “News24” dhe “BalkanWeb” nga selia blu, gazetari Osman Stafa tha se Grupi Parlamentar i PD ka vendosur të mos jetë aktivë në fazën e dytë të seancës plenare, që parashikohet të nisë në orën 13:00, dhe ku do të ketë pyetje-përgjigje nga deputetët mbi programin qeverisës të qeverisë “Rama3”.

Por, siç mëson gazetari Stafa nga selia blu, demokratët janë përgatitur për oponencë të fortë për programin e Ramës, në fazën e tretë të seancës, ku është parashikuar të zhvillohet debati politik. Disa nga temat kryesore, ku do të përqendrohet debati i PD janë pandemia e koronavirusit, tërmeti, vjedhja e zgjedhjeve, aleanca me krimin, etj.

Nga ana tjetër, pasditen e sotme, teksa demokratët do të zhvillojnë debatin në Kuvend, ish-kryeministri Sali Berisha pritet të mbajë tubimin e tij të parë, pasi do të nisë turin, që siç e ka cilësuar vetë ai, për të rikthyer sovranitetin e PD.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb