Ka nisur seanca në KLGJ për gjyqtaren Enkeleida Hoxha me konkluzionet e palëve. Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani tha se magjistratja cenoi parimin e paanësisë së gjykimit, nuk respektoi kriteret për amnistinë dhe se në 5 procese kishte mungesë në arsyetimin e vendimeve, duke kërkuar shkarkimin nga detyra.

“Në përfundim të këtij procedimi disiplinor, si për sa i përket fakteve të provuara dhe pretendimeve të paraqitura nga ana e magjistrates, subjekt procedimi disiplinor, në cilësinë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, përfundimisht vlerësoj se gjatë këtij procedimi disiplinor rezulton e provuar se:
Nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjmë me mosrespektim të rëndë dhe të vazhduar të legjislacionit material dhe procedural penal.
Nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha, nuk janë marrë prova vendimtare për zgjidhjen e çështjes duke cenuar parimin e paanësisë së gjykimit.

Nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha i është atribuuar dhënia e cilësive të ndryshme, herë si i paraburgosur dhe herë si i dënuar, gjatë periudhave të njëjta në funksion të pranimit të çdo kërkese të paraqitur nga ana e të njëjtit kërkues;
Nga ana e magjistrates është aplikuar ulja e njëkohshme e dënimit për periudha më të gjata se periudha 12 mujore e vlerësimit të parashikuar në Ligjin nr. 8328/2008 ‘Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve’, i ndryshuar”, deklaroi Metani.

  • foto galeri
  • foto galeri

Ai tha më tej se nga ana e magjistrates nuk janë respektuar kriteret ndaluese për përfitim amnistie
“Në 5 procese gjyqësore është konstatuar një mungesë thelbësore në arsyetimin e vendimeve gjyqësore. Arrihet në konkluzionin se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistrates Enkeleida Hoxha janë aq serioze sa kanë cenuar vlerat themelore të saj; besimin që magjistrati duhet të përcjellë te publiku në përmbushjen e misionit dhe rolit të tij në dhënien e drejtësisë; kanë diskretituar rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit dhe kanë ulur dinjitetin e organit që përfaqëson duke e bërë atë të pa denjë për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të magjistratit. Kërkojmë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor:
Të administrojë provat e paraqitura nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në këtë procedim disiplinor
Të pranojë kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates Enkeleida Hoxha, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 140, pika 2, shkronja ‘a’ e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga neni 102, pika 1 shkronjat ‘ç’ dhe ‘dh’ dhe neni 102, pika 2, shkronjat ‘a’ dhe ‘c’, të Ligjit nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar dhe caktimin ndaj saj të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”, konkludoi Metani.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb