KLGJ mbajti  një seancë me dyer të mbyllura për kërkesën e ILD për të shkarkuar gjyqtarin e Korçës, Markelian Kuqo që liroi me kusht Gert Gjinararin, i dënuar më parë me burg të përjetshëm.

Kreu i ILD, Artur Metani ka mbajtur fjalët përmbyllëse teksa ka paraqitur konkluzionet për Kuqon, për të cilin thotë se ka diskredituar rëndë figurën e gjyqtarit dhe është i padenjë për të vijuar detyrën si gjyqtar.

 

”Magjistrati e ushtron funksionin në mënyrë të pavarur, por ai nuk mund të veprojë në mënyrë arbitrare dhe të gjykojë rastet duke u bazuar në preferencat personale, interesin vetjak apo keqbesimin, por vetëm duke u bazuar në legjislacionin në fuqi dhe duke e interpretuar atë në varësi të rrethanave konkrete të një çështjeje gjyqësore të caktuar.

Pavarësia që i njihet magjistratit  nuk është një qëllim në vetvete, një privilegj personal, por është një mjet për të mbrojtur publikun, që kërkon dhe pret drejtësi.

Pavarësia e magjistratit shkon përkrah dhe balancohet nëpërmjet një sistemi llogaridhënieje, përgjegjshmërie dhe ndëshkueshmërie.

Veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga ana e magjistratit Markelian Kuqo kanë cenuar besimin që magjistrati duhet të përcjellë te publiku në përmbushjen e misionit dhe rolit të tij në dhënien e drejtësisë, ka diskredituar rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit dhe kanë ulur dinjitetin e organit që përfaqëson, duke e bërë atë të pa denjë për vazhdimin e ushtrimit të funksionit të magjistratit.”- tha Metani.

Nga ana tjetër pas disa shtyrjesh të vendimeve nga KLGJ, Markelian Kuqo u karantinua në banesë pasi bashkëshortja i doli pozitiv me COVID-19. Ai kërkoi kohë nga KLGJ për konkluzionet e veta. KLGJ ia ka dhënë kohën duke shtyrë seancën e radhës për mesditën e 10 dhjetorit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb