Nga: Alfred PEZA

Vendimi i Gjykatës Penale të Shkupit për dënimin me 2 vite burg të ish Kryeministrit Nikol Gruevski lidhur me rastin e blerjes për të, të një makine me 580 mijë euro në 2012 me paratë e buxhetit të ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, është një këmbanë e fortë alarmi për tu dëgjuar nga veshët e duhur në Tiranë. Fletët e atij vendimi, janë nga ana tjetër, edhe një pasqyrë e shkëlqyer ku disa politikanë shumë të lartë shqiptarë, të mund të shohin të projektuar fatin e tyre, në një të ardhme jo shumë të largët.

Kjo çështje u dërgua në gjykatë nga Prokuroria e Posaçme,- një institcion që me reformën e re të drejtësisë në Shqipëri do të quhet SPAK,- e cila atje u themelua para më shumë se dy vjetësh për ti dhënë fund krizës politike në vend. Për planin e blerjes së makinës tip Mercedes, dëgjoheshin nga bisedat e përgjuara telefonike duke folur Gruevski me ministren Jankullovska. Dëshirat e ish-kryeministrit për opsionet ekstra duhej të kishte makina, u vërtetuan pasi ato iu treguan publikut me ardhjen e socialdemokratëve të Zaev në pushtet.

Ka shenja se ky vendim është pritur me frikë në qarqet më të epërme të politikës së Tiranës. Disa prej tyre po bëjnë mirë që kanë filluar të dridhen, pasi nuk është se e kanë kuptuar edhe aq gabim mesazhin e ardhur nga Shkupi.

E para, sepse të dyja vendet tona vuajmë nga të njëjtat simtoma të zhvillimeve demokratike, të cilat konvergojnë në një pikë kyçe: Tek kultura e pandëshkueshmërisë së rasteve të korrupsionit të lartë qeveritar e shtetëror dhe krimit të lidhur me të, e cila pritet të mari fund me reformat e ndërmara në drejtësitë respektive.

E dyta, sepse krizat politike që kanë shoqëruar stadet e zhvillimeve demokratike në të dyja anët e kufirit, e kanë burimin tek mungesa e një pushteti efikas të drejtësisë, të pakapura e të pandikuara nga politika dhe pushtetet e tjera.

E treta, institucionet e brishta demokratike i kanë dhënë mundësinë liderëve të rëndësishëm politikë që ta zhbëjnë drejtësinë, duke i ushtruar vetë atributet e grabitura dhunshëm prej saj, nëpërmjet kultivimit të kulturës së linçimit dhe bërjes vetëm të gjyqeve politike e publike ndaj kundërshtarëve, në interes të pushtetit të vet personal.

Shqipërisë dhe Maqedonisë i ka rënë fati i përbashkët që të jenë dy shtete fqinjë. Popujt tanë janë të dënuar që të bashkëjetojnë në paqe e harmoni në këtë cep të Ballkanit. E si të mos mjaftonin këto, Tirana dhe Shkupi ndodhen aktualisht në të njëjtin vagon udhëtimi drejt Brukselit, me ëndrrën e përbashkët për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.

Ky fat, ky dënim dhe kjo ëndërr, përbëjnë trinitrinë e shenjtë nëpërmjet së cilës jo vetëm Shqipëria e Maqedonia, por të gjitha shtetet e gadishullit po tentojnë që ti ikin njëherë e përgjithmonë mallikimit historik të së shkuarës sonë të përbashkët. Një mallkim që në sytë e gjithë botës, na kishte bërë që nëpër histori, të mernim trajtën e një “fuçie baruti”.

Sllovenia në vitin 2004 ishte shteti i parë i rajonit që iu bashkangjit Bashkimit Europian. Për tu pasuar nga Bullgaria e Rumaninë në 2007 dhe Kroacinë në vitin 2013. Serbia dhe Mali i Zi i kanë çelur negociatat me BE, sëfundi Komisioni Europian ia ka rekomanduar për këtë, edhe Shqipërinë e Maqedoninë.

E përbashkëta e këtij rrugëtimi për të gjitha shtetet tona, ka vetëm një emër: Reforma në drejtësi. Asnjëra prej shteteve të Ballkanit nuk ia ka dalë që të ulet në tryezën e madhe të 27 vendeve anëtare, pa kaluar më parë “Rubikonin” e shtetit të së drejtës. Bullgaria dhe Rumania e paguan çmimin, pasi u futën në BE duke u bërë më shumë se për ta vetë, një mësim i vyer për Brukselin që të mos e përsërisnin me kandidatët e tjerë më pas.

Eshtë kjo edhe arësyeja se përse Kroacia duhet të ndëshkonte fillimisht ish Kryeministrin Sanader, përpara se të pranohej brenda familjes së madhe. Ndërsa tani, radhën e kishte Maqedonia me ish Kryeministrin Gruevski.

I pari u dënua sepse prokurori i pa “rasësisht” teksa ai fliste në një televizion, duke mbajtur në dorë, një orë shumë më të shtrenjtë sesa ia mbante xhepi me të ardhurat zyrtare, nga rroga që kishte marë me paratë e taksapaguesve kroatë. Gruevskin e mori në qafë sindroma e të fortëve të kësaj ane, që për shkak të komplekseve, kërkojnë ta kenë makinën më të madhe se sa… shtatin.

Në Shqipëri, megjithë pritshmëritë e mëdha publike rrjeta e drejtësisë së re nuk po arrin akoma që të kapi peshkun e parë të madh. Sepse ndryshe nga Kroacia dhe Maqedonia, këtu nuk është çështja se nuk gjen dot liderë me “ora” dhe “makina të shtrenjta”. Me sa duket, çështja këtu është se ata, ende nuk guxon dot kush që ti shohë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: