Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer deklaroi se është i përgatitur të rrisë numrin e oficerëve të policisë federale në kufirin polak për të ndihmuar në luftën kundër rritjes së numrit të emigrantëve ilegalë nga Bjellorusia.

Seehofer i tha gazetës “Bild am Sonntag” se 800 policë federalë ishin vendosur tashmë në kufi dhe të tjerë mund të mbërrinin “nëse është e nevojshme”.

Normalisht nuk ka kontrolle pasaporte ose kufiri kur udhëtoni nga një vend në tjetrin në zonën Shengen të Evropës me 26 anëtarë, por këto kontrolle mund të rikthehen përkohësisht në rast kërcënimi.

Numri i emigrantëve që përpiqen të hyjnë ilegalisht në Bashkimin Evropian përmes Bjellorusisë është rritur ndjeshëm muajt e fundit, me vendet kufitare Polonia, Lituania dhe Letonia që mbajnë peshën kryesore të fluksit.

Kufiri i Gjermanisë me Poloninë, nga ana tjetër, është bërë një pikë e nxehtë e migrimit të paligjshëm përmes asaj që quhet “rruga e Bjellorusisë” për në BE. Policia gjermane tha se kishte pasur 1 922 kalime vetëm nga 1 deri në 20 tetor.

Emigrantët shpesh vijnë nga Iraku, Siria, Jemeni dhe Irani.
Seehofer së fundmi propozoi patrullime të përbashkëta kufitare gjermano-polake, por Varshava deri më tani nuk ka qenë e gatshme.

Udhëheqësit e BE-së akuzojnë liderin bjellorus, Aleksander Lukashenko për organizimin e kalimit të emigrantëve nga vende të tilla si Iraku dhe më pas dërgimin e tyre në kufirin e jashtëm të bllokut me Bjellorusinë.

Në fund të majit, Lukashenko njoftoi se qeveria e tij nuk do t’i pengojë më emigrantët të udhëtojnë drejt BE-së, si kundërpërgjigje të sanksioneve më të ashpra perëndimore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb