Analisti Neritan Sejamini në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në News24 tha se Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë demokraci e mirëfilltë apo treg i mirëfilltë.

Sejamini tha se edhe në kuptimin e lirisë ne kemi pak historik. “Shqipëria në vitet 30-40, shumica e shqiptarëve ishin analfabetë. Sot nuk kemi studime mbi shoqërinë, nuk kemi pasur njerëz që kanë pasur një vizion dhe që na kanë frymëzuar. Ne nuk e kuptojmë se çdo të thotë qeverisje dhe presim gjithçka të na i bëjë Qeveria”, tha Sejamini.

Ai u shpreh se në pushtet mund të vijnë demagogë e sharlatanë dhe mos bëjnë asgjë nga ata që thonë se do të bënin.

“Ne nuk e duam lirinë, nuk e kemi në qelizë për ta mbrojtur, për të luftuar”, tha Sejamini.

Ai tha se jemi në një shoqëri që nuk ka demokraci sikundër e ka Europa, nuk ka liri tregu siç e ka Europa, jemi në një krizë kulturore dhe nga ana morale kemi një degradim total shoqëror. “Ne adhurojmë të fortin, kriminelin, hajdutin”, tha Sejamini.

Në këtë kuadër ai tha se të pasurit, pavarësisht se si i kanë bërë paratë apo pasurinë, i gjen në ballë të gjithçkaje, nga ato festat private te studiot televizive, te fotot përkrah politikanëve.

“Ne rrëzuam komunizmin dhe ato vlera, por nuk krijuam vlerat e reja që të ishim si Europa”, tha Sejamini.

Ai tha se duhet të ndryshojmë mendësinë tonë, pasi çdokush që është në pushtet mund të kthehet në një autokrat.

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb