Në ambientet e Bankës së Shqipërisë zhvilloi punimet mbledhja e pestë e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në fjalën e mbajtur me këtë rast tha se, Banka e Shqipërisë është e angazhuar për të bashkëpunuar me institucinet e linjës në vazhdimësi për rritjen e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe efikasitetit të sistemit kombëtar të pagesave, objektiva këta mjaft të rëndësishëm për zbatimin e politikës monetare dhe për stabilitetin financiar e ekonomik të vendit, duke krijuar baza të shëndosha për zhvillim dhe mirëqenie.

Sejko tha se, krijimi i Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave është bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në veçanti në ato evropiane. Në këtë kuadër, vlen të theksojmë u shpreh Guvernatori, se gjatë këtyre 5 vjetëve janë arritur rezultate të rëndësishme, ku ndër më të spikaturit konsiderohet miratimi i Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023).

Të dhënat e deritanishme evidentojnë një përfshirje të ulët financiare të popullsisë shqiptare, jo vetëm krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, por dhe me vendet e rajonit. Të gjitha këto reflektohen në një përdorim të lartë të parasë fizike (cash) në ekonominë shqiptare.

“Nga studime empirike të kryera nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën Botërore rezulton se përdorimi i cash-it në ekonomi, përtej efekteve zbehëse tek mekanizmat e Bankës së Shqipërisë në funksion të ruajtjes së stabilitetit të çmimeve e atij financiar, dhe zhvillimit ekonomik, ka dhe një kosto konkrete nga përdorimi i tij si mjet pagese, ku në nivel ekonomie shkon më shumë se 1 për qind të PBB-së. Për më tepër, përdorimi i parasë fizike mund të konsiderohet edhe si një nxitës i informalitetit në ekonomi”- tha Sejko.

Për rrjedhojë, theksoi ai, strategjia jonë synon të krijojë një treg bashkëkohor dhe gjithëpërfshirës të pagesave me vlerë të vogël, të mbështetur nga infrastruktura të sigurta dhe eficiente, dhe nga një gamë e gjerë instrumentesh dhe shërbimesh të pagesave që përmbushin nevojat e përdoruesve të aftë financiarisht për të kryer pagesa në të gjithë vendin.

“Masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për digjitalizimin e shërbimeve qeveritare dhe rishtazi për projektligjin “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, synojnë rritjen e efikasitetit të fiskalizimit të ekonomisë shqiptare, në harmoni të plotë me nismat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, për modernizimin e tregut të pagesave dhe nxitjen e përfshirjes financiare të popullsisë.

Sejko tha se, Banka e Shqipërisë ka punuar për krijimin e një kuadri ligjor e rregullativ, i cili synon pikërisht nxitjen e digjitalizimit në sferën e shërbimeve të pagesave. Hartimi i projektligjit “Për shërbimet e pagesave” konsiderohet si një hap i parë dhe thelbësor në kuadër të reformimit dhe digjitalizimit të tregut të pagesave me vlerë të vogël.

Sejko tha se BSH po i kushton vëmendje edukimit financiar si një mjet mjaft i mirë për njohjen e politikës monetare që ndihmon në përshpejtimin e transmetimit të efekteve të kësaj politike mbi ekonominë reale. Ndërkohë që cilësia e vendimeve për financim ose investim ka impakt të drejtpërdrejtë mbi stabilitetin e gjithë sistemit financiar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb