NGA ERJOLA JATA*

TIRANË- Një ditë më parë misioni i FMN-së në Shqipëri raportoi së bashku me Ministrin e Financave dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë në lidhje me çështjen greke duke siguruar se vendi ynë nuk do të ketë pasoja. Por në fakt qëllimi i misionit ishte marrëveshja me qeverinë shqiptare dhe një qëndrim i përbashkët për treguesit ekonomikë. I pyetur nga News 24 në lidhje me konkluzionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar me qeverinë, Guvernatori Gent Sejko sqaroi se përsa i përket institucionit që ai drejton nuk ka asnjë problematikë duke lënë të kuptohet se përgjigjen e saktë e jep vetëm ministria e financave.

“Misioni pati një bashkëpunim dhe bashkëbisedim shumë frytdhënës si Bankë e Shqipërisë me Ministrinë e Financave dhe qeverinë shqiptare. Praktikisht ne si Bankë në radhë të parë jemi në përputhje të plotë me të gjithë pikat e marrëveshjes në raport me misionin e FMN-së kemi plotësuar të gjithë pikat dhe këtë radhë nuk kemi asnjë pikë pezull, gjithçka është në përputhje nuk ka asgjë që mbetet e paplotësuar. Në lidhje me konkludimin e misionit me qeverinë shqiptare praktikisht jemi duke parë dhe qeveria në raport me misionin është duke axhustuar raportet e të ardhurave dhe shpenzimeve. Kjo mund të vijë edhe nga një planifikim i shtuar, nga një planifikim i tepërt i bërë në raport me të ardhurat në fillimin e vitit. Nuk është se ka ndonjë problematikë konkrete gjithçka është në periudhë studimi dhe do të mbyllet me misionin e radhës që do të vi në Shqipëri. Për detaje mund të sqarojë më mirë Ministrin e Financave, por di që është axhustimi dhe korrektimi i raportit të të ardhurave dhe shpenzimeve që është në proces”, tha Guvernatori.

Më tej Sejko shtoi se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.00%.

“Këshilli Mbikëqyrës i BSH në mbledhjen e sotme vendosi të mbaj të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin prej 2%. Ecuria e inflacionit nën objektiv dhe dobësia ciklike e ekonomisë kanë kërkuar ndjekjen e një politike monetare stimuluese gjatë viteve të fundit. Ecuria e inflacionit vazhdon të reflektojë presione të ulëta inflacioniste, të cilat burojnë si nga dobësia ciklike ekonomisë ashtu dhe nga nivelet e ulëta të inflacionit në tregjet botërore. Këta faktorë pritet të jenë të pranishëm edhe gjatë disa tremujorëve të tjerë në vazhdim. Inflacioni parashikohet të luhatet brenda intervalit 1.8-2.2% gjatë vitit 2015 por gjithashtu pritet të ndjekë një trajektore rritëse në vazhdim edhe përgjatë dy viteve të ardhshme .Ekonomia parashikohet të jetë në rritje graduale dhe aktiviteti ekonomik pritet të jenë akoma nën potencial gjatë vitit 2015”, u shpreh Sejko.

Në lidhje me krizën greke në Greqi Guvernatori i BSH-së ripërsëriti edhe njëherë se sistemi bankar shqiptar nuk është i ekspozuar ndaj krizës greke dhe se banka e Shqipërisë ka lëshuar një urdhër ku ndalon që bankat tregtare që operojnë në Shqipëri të transferojnë qoftë edhe 1 lek tek mëmat e tyre.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: