Guvernatori i Bankës së Shqipëri Gent Sejko mori pjesë në Mbledhjen e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, zhvilluar në Valletta, Maltë

Ky takim mblodhi së bashku guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare të kësaj konstituence, për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore dhe ekonomive përkatëse.

Përfaqësues të lartë të FMN-së dhe BB-së prezantuan perspektivat e këtyre dy institucioneve, lidhur me rishikimin e kuotave dhe rritjen e kapitalit, si dhe prioritetet që duhen ndjekur për të garantuar një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë të vendeve. Një tjetër çështje e trajtuar në takim ishte dhe zgjedhja e Presidentit të ri të Bankës Botërore.

Av3 7423 Copy
Av3 7423 Copy

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike në vend, duke theksuar rolin e rëndësishëm që luan Banka e Shqipërisë në zhvillimin ekonomik të vendit. Politika monetare stimuluese e ndjekur nga banka qendrore ka dhënë një kontribut pozitiv në këtë drejtim. Duke u ndalur në sektorin bankar, Guvernatori Sejko nënvizoi se ai karakterizohet nga nivele të mira likuiditeti, kapitali dhe përfitueshmërie. Plani ndërinstitucional i veprimit për reduktimin e kredive me probleme, i ndjekur nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me institucionet e tjera, ka dhënë efektet e tij pozitive dhe të dhënat më të fundit tregojnë se niveli i kredive me probleme, deri në fund të vitit 2018, zbriti në 11.1%.

Guvernatori Sejko paraqiti pikëpamjet e Bankës së Shqipërisë mbi temat kryesore të diskutimit. Në këtë kuadër, ai theksoi se Banka e Shqipërisë mirëpret rishikimet periodike të shpërndarjes së kuotave dhe rritjen e kapitalit, të cilat synojnë përmbushjen e objektivave institucionale të Fondit. Guvernatori u ndal dhe në prioritetet e FMN-së dhe BB-së, si dhe në rolin e rëndësishëm të dy institucioneve në promovimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë të vendeve në zhvillim. Gjithashtu, Guvernatori Sejko u shpreh se procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Bankës Botërore po ndiqet me mjaft interes nga institucionet shqiptare.

Av3 7450 Copy
Av3 7450 Copy

Gjatë qëndrimit të tij në Maltë, Guvernatori Sejko dhe Zëvendësguvernatorja e Parë Minxhozi zhvilluan një takim me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Maltës, z. Mario Vella. Temat e diskutuara ishin sfidat me të cilat përballen sot ekonomitë e vendeve të Konsistuencës si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët në fushën e bankingut qendror.

* Republika e Shqipërisë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që prej muajit tetor të vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën dhe San Marinon. Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës është z. Domenico G. Fanizza.

Republika e Shqipërisë është anëtare e Grupit të Bankës Botërore që prej vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën, San Marinon dhe Timorin Lindor. Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës është z. Patrizio Pagano

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb