TIRANE- Në datat 9-10 shtator 2015, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko zhvilloi një vizitë pune dyditore pranë Bankës së Italisë, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh që ekziston midis dy bankave qendrore. Gjatë qëndrimit në Itali, Guvernatori Sejko u prit nga Guvernatori i Bankës së Italisë, z. Ignazio Visco, si dhe zhvilloi takime të rëndësishme edhe me drejtues të tjerë të këtij institucioni. Bisedat u përqendruan kryesisht në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe, në ecurinë e sistemit bankar shqiptar, si dhe në zhvillimet më të fundit në Eurozonë.

Nga ana e tij, Guvernatori Sejko e çmoi si mjaft të rëndësishme përfshirjen e opinioneve të vendeve të rajonit në vendimmarrjet e Bankës Qendrore Evropiane, vendime të cilat kanë impakt të lartë në ekonomitë e rajonit dhe sistemet e tyre bankare. Guvernatori Sejko falënderoi Guvernatorin Visco për bashkëpunimin e suksesshëm midis dy institucioneve, e veçanërisht për asistencën e dhënë nga Banka e Italisë në projektet e përbashkëta të zhvilluara deri tani në fushat kryesore të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë, si: mbikëqyrja bankare, statistikat, sistemet e pagesave dhe politika monetare.

Pjesë e diskutimit ishte dhe shkëmbimi i eksperiencës si dhe shtrirja e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve edhe në fusha të tjera si: në përafrimin e legjislacionit me standardet evropiane, në adresimin e fenomenit të kredive me probleme dhe në rritjen e transparencës së aktorëve të tregut financiar, sipas kërkesave të Bashkimit Evropian. Nga ana e tij, Guvernatori Visco vlerësoi kontributin dhe rolin e rëndësishëm të Bankës së Shqipërisë në sigurimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit. Ai theksoi se politikat e ndjekura dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë kanë ndikuar në forcimin e kapaciteteve të saj institucionale dhe në rritjen e integritetit të Bankës Qendrore.

Si Guvernator i Bankës së Italisë, Visco është njëherësh edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane. Në këtë cilësi, ai theksoi se institucionet evropiane dhe sidomos Banka Qendrore Evropiane ndjekin me vëmendje zhvillimet në Shqipëri dhe në veçanti ato që lidhen me Bankën e Shqipërisë, ku vlerësohet si një faktor mjaft i rëndësishëm ruajtja e pavarësisë institucionale të bankës qendrore. Guvernatori Visco theksoi se lidhjet midis dy institucioneve kanë qenë dhe vijojnë të jenë mjaft të qëndrueshme dhe të frytshme, si dhe siguroi Guvernatorin Sejko se Banka e Italisë do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të plotë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, derisa Shqipëria të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane. Në përfundim të takimit, Guvernatori Sejko duke e falënderuar për mikpritjen e ngrohtë, ftoi homologun Visco të zhvillojë një vizitë në Shqipëri, në një kohë të përshtatshme për axhendën e tij.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: