Nga: VJOLLCA KONGJONI*
TIRANE – Banka e Shqipërisë nuk mund të veprojë e vetme për t’i dhënë shtysë rritjes ekonomike të vendit. Është ky mesazhi i radhës i Guvernatorit të Bankës Qendrore, Gent Sejko, i cili i kërkon qeverisë të kryejë reformat e nevojshme.

Në seminarin me temë “Rishqyrtimi i bashkërendimit midis politikës monetare dhe politikës fiskale” të organizuar nga Banka e Sllovenisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, Sejko ngre shqetësimin se politika monetare nuk duhet të humbasë besueshmërinë.

“Duhet që gjithmonë t’i kujtojmë vetes se çfarë mundet dhe nuk mundet të arrijë politika monetare, domethënë nivelin e çmimeve, por nuk mund të ndikojmë as mbi rritjen afatgjatë dhe as mbi prosperitetin e përgjithshëm në ekonomi”, -ka deklaruar Sejko nga Sllovenia.

Guvernatori u ka kujtuar politikanëve të reformojnë ekonominë, të përmbushin detyrat e tyre në lidhje me reformat strukturore dhe të shfrytëzojnë sa më mirë frymëmarrjen që u jep politika monetare. Vetëm pak ditë më parë Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit në 1,25%, niveli më i ulët historik në Shqipëri.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb