Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, thotë se asnjë vend i tretë nuk mund të vendosë veton ndaj aspiratave të Ukrainës për t’iu bashkuar aleancës ushtarake të NATO-s.

“Ukraina… ka të drejtën ta përcaktojë politikën e saj të ardhshme të jashtme, dhe presim që të jenë në gjendje ta realizojnë këtë pa ndërhyrje nga jashtë”, tha Sekretari Austin gjatë një vizite në Kiev të martën, kur u pyet për kundërshtimet e Rusisë për anëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Tensionet janë rritur mes Rusisë dhe aleancës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Moska njoftoi të hënën se po pezullon misionin e saj të përhershëm në NATO, në kundërpërgjigje ndaj dëbimit nga aleanca të tetë shtetasve rusë më herët këtë muaj.

Sekretari Austin gjithashtu e quajti Rusinë “një pengesë” për çdo zgjidhje paqësore ndaj luftës që po vazhdon në Ukrainën lindore.

“I bëjmë thirrje sërish Rusisë t’i japë fund pushtimit të Krimesë, të ndalë vazhdimin e luftës në Ukrainën lindore, t’i japë fund aktiviteteve destabilizuese në Detin e Zi dhe përgjatë kufijve të Ukrainës”, tha Sekretari Austin.

“Do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi për të mbështetur përpjekjet e Ukrainës për të zhvilluar kapacitetet për t’u vetëmbrojtur”, shtoi ai.

Më herët këtë vit, Rusia grumbulloi numrin më të madh të forcave pranë kufirit ukrainas, që kur aneksoi Krimenë në vitin 2014. Forcat u tërhoqën pasi morën pjesë në stërvitjet pranë kufirit të Ukrainës.

Vizita e Sekretarit Austin në Ukrainë është ndalesa e tij e dytë këtë javë pasi vizitoi Gjeorgjinë të hënën.

Bradley Bowman, ekspert për mbrojtjen në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, i quan ndalesat në Gjeorgji dhe Ukrainë “një sinjal i rëndësishëm dhe pozitiv”.

“Janë partnerë të rëndësishëm, dhe janë partnerë që janë realisht, jo metaforikisht, realisht në vijën e frontit përballë agresionit, invazionit dhe pushtimit të vazhdueshëm” tha zoti Bowman për Zërin e Amerikës.

Gjatë konferencës së tij të shtypit me homologun ukrainas të martën, Sekretari Austin gjithashtu i bëri thirrje Moskës të ndalë “sulmet e vazhdueshme kibernetike dhe aktivitetet e tjera keqdashëse” ndaj Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha javën e kaluar se Rusia kishte ndërmarrë “disa hapa” kundër grupeve të piraterisë kibernetike që funksionojnë në këtë vend, pasi Presidenti Joe Biden i bëri thirrje në qershor Presidentit rus Vladimir Putin të veprojë kundër këtyre grupeve.

Hakerët rusë u akuzuan për ndërhyrjen masive në disa agjensi federale amerikane, nëpërmjet shfrytëzimit të dobësive në programet e kompanisë SolarWinds dhe për një seri sulmesh pirate ndaj infrastrukturës dhe bizneseve amerikane, përfshirë edhe sulmin në muajin maj ndaj kompanisë së transportimit të karburanteve Colonial Pipeline.

Të mërkurën, Sekretari Austin pritet të vizitojë Rumaninë, përpara se të marrë pjesë në ministerialin e mbrojtjes së NATO-s në Bruksel./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb