Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken akuzoi Rusinë të martën për vrasjen e civilëve në Ukrainë, duke i thënë Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara se sulmet ruse “po godasin shkollat, spitalet dhe ndërtesat e banimit”.

“Ata po shkatërrojnë infrastrukturën kritike, e cila u siguron miliona njerëzve në mbarë Ukrainën ujë të pijshëm, gaz për t’i mbajtur ata nga ngrirja deri në vdekje dhe energji elektrike. Autobusë civilë, makina, madje edhe autoambulanca janë granatuar. Rusia po e bën këtë çdo ditë – në të gjithë Ukrainën”, shtoi Blinken.

Deklaratat e kryediplomatit amerikan vijnë pasi presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për krime lufte për bombardimin e qytetit të Kharkiv.

Gjatë dy ditëve të fundit, sulmet ruse kanë goditur civilët, duke sugjeruar një zhvendosje drejt një fushate bombardimi shumë më pak të përmbajtur. Sulmet e mëparshme ruse ishin më të përqendruara në objektiva ushtarakë.

Zelensky gjithashtu bëri një lutje të martën për liderët evropianë që të “dëshmojnë” solidaritetin e tyre me vendin e tij.
“Ne po luftojmë për jetën tonë,” tha ai në një fjalim në Bashkimin Evropian të martën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb