TIRANE- “Terrorizmi i shfaqur sot në formën e një nazizmi të ri, tek i ashtuquajturi ISIS, paraqet kërcënim serioz. Të gjitha vendet aleate ndjehen njëlloj të kërcënuara, kemi mundësi dhe kapacitete për të përballuar me sukses këtë betejë, dhe për ta fituar këtë që Papa Francesku e quan një luftë të tretë botërore”.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.
Kryeministri theksoi se shqiptarët ndjehen krenarë që përfaqësojnë në Aleancë modelin e një vendi me bashkëjetesë fetare.

“Ajo që Papa Francesku e quajti vëllazëria fetare është baza solide e një paqeje dhe harmonie mes njerëzve të besimeve ndryshme.”- tha Rama.

Shefi i qeverisë bëri të ditur se në fokus të bisedës me sekretarin e NATO-s kanë qenë “valët e reja të terrorizmit me origjinë nga Lindja e Mesme, Afrika e Veriut, shqetësim i përbashkët për sigurinë, çështja e hapur e Ukrainës dhe vijimi i procesit të zgjerimit të aleancës”

Nuk do të mjaftojnë asnjëherë fjalët për të shprehur mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve ndaj aleancës, që duke hapur dyert për Shqipërinë i dhanë vendit tonë të drejtën për të ndarë jo vetëm barrën kolektive të botës së lirë, por edhe për tu përfshirë në vendimmarrjet e një rëndësie kaq të madhe për ecurinë e lirisë dhe integritetin e vlerave të botës ku ne kemi zgjedhur të jemi pjesë e pandarë.”- tha kryeministri.

STOLTENBERG: ASNJË VEND NUK ËSHTË I PAPREKSHËM NGA SULMET TERRORISTE
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, asnjë vend nuk është i paprekshëm ndaj kërcënimeve terroriste si në Paris, ndaj theksoi së të gjitha vendet duhet të bashkëpunojnë për të garantuar sigurinë.

“Besojmë se nëpërmjet bashkëpunimit me fqinjën ju ofroni një kontribut të vlefshëm për sigurinë në rajon. Ju inkurajojmë për politikën e dyerve të hapura, dhe ju inkurajojmë për integrimin drejt BE. Ne duhet të çohemi në mbrojtje të vlerave tona. Të luftojmë ekstremizmin dhe terrorizmin së bashku. Sfidat me të cilat përballemi duhet të luftohet me mjete diplomatike, por edhe ato ushtarake. Duhet të investojmë të gjithë për të garantuar sigurinë në mbarë botën”, tha Stoltenberg.

Gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Rama, Stoltenberg theksoi se vizita e tij në Tiranë nuk ka lidhje me faktin që Tirana u klasifikua si një nga objektivat e radhës të ISIS, por me kontributet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.

“Vizita ime në Tiranë nuk është diçka që e kemi vendosur pas sulmeve në Paris, ne i vlerësojmë shumë kontributet e Shqipërisë për sigurinë e përbashkët. Ajo që ju keni parë në Paris dhe vendet të tjera, tregojnë se asnjë vend nuk është i paprekshëm ndaj kërcënimeve, ndaj duhet të jemi vigjilentë të përgatitur, të intensifikojmë përpjekjet, me mjete të ndryshme, mjete ushtarake, dhe mirëpres faktin që vendet e NATO po rrisin kontributin. Mendoj se është me rëndësi të madhe që të mbështesim përpjekje të ripërtërira për zgjidhje, edhe të negociuara politikisht. Na duhen mjete, politike diplomatike dhe ushtarake që të mbështesim këto përpjekje të përtërita për të gjetur një zgjidhje për krizën në Siri, dhe normalizimin e situatës. por NATO po luan rolin e saj nëpërmjet aleatëve të saj, por duke u përqendruar tek shkaqet rrënjësore të destabilitetit të kërcënimit terrorist”, tha ai.

PYETJE NGA GAZETARET

Zoti Rama, sekretari i NATO-s tha se mirëpritet roli i Shqiprisë në koalicionin e NATO-s, konkretisht a është kërkuar Shqipërisë rritja e kontributit me mjete apo trupa ushtarake?

Rama: Mund t’ju jap përgjigjen e thjeshtë dhe të zakonshmen për një qeveri dhe kryeministër të Shqipërisë. Ne jemi plotësisht të angazhuar për të kontribuar me të gjitha mundësitë që disponojmë brenda kësaj aleance me çdo mision ku kërkohet kontributi ynë.

Zoti sekretar, a ka NATO një strategji përveç zgjerimit për të ruajtur stabilitetin në rajonin e Ballkanit perëndimor?

Stoltenberg: NATO është shumë e përqëndruar për mënyrën se si mund të kontribuojë për të ruajtur stabilitetin në Ballkanin perëndimor. Jemi përqëndruar këtu për shumë vjet. Operacioni më i madh i NATO-s ka qenë në Ballkan, në vitit ‘90, në Bonjë, Kosovë dhe Serbi. Kroacia, Sllovenia janë anëtare të aleancës, po ashtu edhe Shqipëria.

Mendoj se jemi mirëfilli të përqëndruar se si të mund të bashëpunojmë me shtetet tona anëtare në rajon. Do të doja gjithashtu të lavdëroja edhe lidershipin e Tiranës, në përballjen e sfidave që janë të pranishme këtu, siç janë të pranishme në të gjithë Europën.

(er.nu/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: