Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka tërhequr vërejtjen se ndërtimi i rrugës afër Manastirit të Deçanit dhe mungesa e rezultateve në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviç janë shkas për shqetësim në Kosovë.

Por në anën tjetër ai ka mirëpritur vazhdimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Shefi i OKB-së, në raportin mbi zhvillimet në Kosovë nga mesi i prillit deri në mes të korrikut ka thënë se është brengosur rreth synimit të ndërtimit të rrugës në zonën e mbrojtur për rreth Manastirit të Deçanit, duke ftuar autoritetet lokale që të respektojnë ligjin dhe vendimet me të cilat ndërtimi është i ndaluar.

“Theksoj se shqetësimi është në rritje pasi vrasja e Oliver Ivanovic nuk është zgjidhur edhe pas gjashtë muajve. Ftoj autoritetet në Kosovë që të intensifikojnë hetimet dhe të përdorin të gjitha kanalet e mundshme që mund të ishin ndihmesë”, ka thënë Guterres.

Ai gjithashtu ka mirëpritur edhe vazhdimin e dialogut.
“Megjithëse takimi nuk ka sjell rezultat, vazhdimi i dialogut siguron mundësi të reja që të nisë procesi i zgjidhjes së dallimeve afatgjata, që është fondamentale për çdo zgjidhje të shëndoshë. Inkurajoj liderët në Beograd dhe Prishtinë që të vazhdojnë dialogun e tyre dhe që marrëveshjet e dala nga dialogu i ndërmjetësuar nga BE të përmbushen plotësisht”.

Guterres në raportin e tij ka thënë se situata në Kosovë në tre muajt e fundit ka qenë e qendrueshme, duke theksuar se pjesëtarët e Listës Serbe nuk kanë marrë pjesë në punën e Kuvendit dhe të Qeverisë që prej fundit të marsit – kur ishte arrestuar Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuric.

Ai ka thënë po ashtu se presidenti, Hashim Thaçi dhe zyra e kryeministrit, Ramush Haradinaj ka dënuar një seri të incidenteve etnikisht të motivuara të cilat Lista Serbe ishte ankuar në qershor, përcjell klankosova.

“Më 6 qershor, përfaqësuesi im special, Zahir Tanin, mirëpriti këto qëndrime, duke shtuar se nuk ka vend frikësim në një shoqëri demokratike”.

Edhe një herë, Guterres ka vlerësuar përkushtimin për të rikthyer të zhvendosurit, duke thënë se 77 njerëz janë rikthyer në tre muajt e fundit dhe që sipas Komisionit për Refugjatë të OKB-së 89 mijë e 480 të tjerë që janë regjistruar si të zhvendosur pas luftës së vitit 1998-1999, ku 72 mijë prej tyre janë ende në Serbi.

Kreu i organizatës botërore po ashtu tha se një mijë e 647 njerëz janë ende të zhdukur që nga lufta e vitit 1998-1999.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb