Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha të hënën se militantët talibanë në Afganistan duhet të bëjnë më shumë për të përmbushur kushtet e një marrëveshjeje paqeje të arritur më 2020 me Shtetet e Bashkuara, kjo për të mundësuar tërheqjen e trupave të huaja brenda një afati të parashikuar të përfundojë në fillim të majit.

Ministrat e Mbrojtjes të vendeve aleate do të diskutojnë gjatë kësaj javë nëse talibanët po i përmbahen detyrimeve të tyre sipas marrëveshjes së paqes, e cila i bën thirrje militantëve të ndalin sulmet ndërsa trupave të huaja të tërhiqen deri më 1 maj.

“Ne shohim se ka ende nevojë që talibanët të bëjnë më shumë kur është fjala për përmbushjen e zotimeve të tyre … për t’u siguruar që ata do të prishin të gjitha lidhjet me terroristët ndërkombëtarë”, tha zoti Stoltenberg.

Sulmet në Afganistan, përfshirë një bombë që vrau zëvendës guvernatorin e kryeqytetit të vendit Kabul në dhjetor, kanë bërë që anëtarët e Kongresit amerikan dhe grupeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut të bëjnë thirrje për një shtyrje të afatit të tërheqjes së trupave, për të cilën është rënë dakord gjatë administratë së ish-presidentin Donald Trump.

NATO ka 9,600 trupa në Afganistan, përfshirë 2,500 amerikanë, që stërvisin dhe ndihmojnë forcat afgane.

Shumë druhen se përparimi i shënuar gjatë dy dekadave të ndërhyrjes së huaj në Afganistan do të zhbëhej me shpejtësi, duke kërcënuar arritjet në fusha të tilla si të drejtat e grave apo demokracia. Ligjvënësit amerikanë kanë paralajmëruar se tërheqja e të gjithë trupave mund të çojë në luftë civile.

Takimi i ministrave të Mbrojtjes që mbahet këtë javë, i cili do të zhvillohet me videokonferencë të mërkurën dhe të enjten, pritet të diskutojë rreth një vendimi nëse do të ecet përpara me tërheqjen e trupave. Administrata e presidentit të ri të SHBA-së Joe Biden përballet me thirrje për të kërkuar një shtyrje gjashtë-mujore.

Katër zyrtarë të lartë të NATO-s thanë më 31 janar për agjencinë e lajmeve “Reuters” se trupat ndërkombëtare do të qëndronin përtej afatit të majit, megjithë thirrjet e Talibanëve për një tërheqje të plotë.

“Qëllimi ynë i përbashkët është i qartë: Afganistani nuk duhet të shërbejë më kurrë si një strehë për terroristët për të sulmuar vendet tona”, tha zoti Stoltenberg. “Asnjë aleat nuk dëshiron të qëndrojë në Afganistan më gjatë sesa është e nevojshme, por ne nuk do të largohemi para se të jetë koha e duhur”, shtoi ai.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb