Sekretari i Shëndetësisë në Britaninë e Madhe, Sajid Javid, e ka cilësuar presidentin rus Valdimir Putin si një gënjeshtar të detyruar.

Ai ka thënë për BBC, se pa gjetur një mënyrë për të kufizuar Rusinë dhe Putinin, gjërat mund të agravohen më tepër.

“Rusëve nuk duket se mund t’u besohet, dhe veçanërisht presidentit Putin, i cili ne e dimë se është një gënjeshtar kompulsiv. Ne e dimë se ai ka vështirësi të ndajë trillimet nga faktet. Unë e di nga përvoja ime si sekretar i Brendshëm … kur kishim të bënim me sulmin në Salisbury me një armë kimike të paligjshme”, tha Javid.

Kujtojmë se sot ndodhemi në ditën e 26-ë të pushtimit rus në Ukrainë. Deri më tani janë shkaktuar humbje të mëdha nga të dyja palët, ndërsa të hënën është caktuar një ditë tjetër diskutimesh, me qëllim për të arritur paqen. Turqia tha të dielën, se Rusia dhe Ukraina janë pranë për të gjetur një marrëveshje, megjithatë pritet të shihet se si do të jetë ecuria e diskutimeve ditën e sotme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb