Nga Michael Pompeo

Është bekim për mua të jem sot këtu me ju. Kjo është një mbledhje e veçantë ku mund të mblidhemi për të folur në lidhje me një kërcënim tepër të madh ndaj botës dhe njerëzve liri-dashës. Është vërtet një nder. Që kur kam folur për herë të fundit me ju, Ebrahim Raisi është instaluar zyrtarisht si i ashtu-quajturi president më i ri i Iranit. Jeni mbledhur me të drejtë në këtë konferencë rreth temës së kërkesës që ai të mbahet përgjegjës për atë që ka ndodhur në 1988-ën. Masakrën e të burgosurve politikë brenda Iranit. Dhe dua që secili nga ju ta dijë sot se ju bashkohem në këtë kauzë! E kam njohur për herë të parë Raisi-n kur isha drejtor i CIA-s. Ai duhet të ndiqet penalisht; jo nesër; jo javën tjetër; jo vitin tjetër. Ai duhet të ndiqet penalisht tani. Dhe sigurisht, do të flas më shumë për këtë, por unë mbështes një Iran të lirë. Bekuar qofshi që vazhdoni të luftoni. Ta dini mirë, Ebrahim Raisi vetë, personalisht, është përgjegjës për ekzekutimet masive të 1988-ës ndaj mijëra të burgosurve politikë iranianë; emrat e mbi 5,000 prej tyre janë publikuar.

Trupat e këtyre burrave e grave trime janë hedhur në varre të pashënuara. Dhe duke qenë se Irani nuk ka lejuar, dhe me siguri nën këtë regjim nuk do të lejojë kurrë një hetim të këtyre vrasjeve, nuk e dimë numrin e vërtetë të iranianëve që janë vrarë. Por pothuajse me siguri mund të themi që bëhet fjalë për më shumë sesa lista me 5,000 emra që kemi. Veprimet tuaja, veprimet tona në mbështetje të dashurisë sonë për popullin iranian duhet të fillojnë me mbajtjen përgjegjës të Raisi-t për krimet e tij kundër njerëzimit. Mbani mend që ai nuk ishte këshilltar, nuk ishte ushtar këmbësor. Ai ishte ekzekutues. E di se ka në audiencë nga ata që u janë vrarë familjarët në masakrën e Raisi-t. Gjithashtu, disa prej jush keni familjarë dhe miq të burgosur aktualisht, në Evin dhe në burgje të tjera të Iranit, dhe disave familjarët jua kanë zhdukur, apo edhe më keq. Ne, asnjëri prej nesh, nuk do t’i harrojë kurrë ata dhe do të lutemi për ju dhe për të gjithë ata. Ebrahim Raisi është pikërisht lloji i njeriut që Khamenei dëshiron si President; një njeri që t’i bindet atij.

Një njeri që është i gatshëm t’i brutalizojë dhe t’i vrasë iranianët me urdhër të tij. Kjo nuk është ecje përpara. Është ecje prapa. Janë vetëm ata që rezistojnë, si brenda ashtu edhe jashtë, të cilët sjellin shpresë për Iranin. Ja pse kjo mbledhje dhe ajo që ju po bëni sot është kaq e rëndësishme. Kontrasti midis një qeverie që i shërben popullit të vet dhe asaj që e nënshtron popullin, është jashtëzakonisht i theksuar. Mund ta shohim. Ky duhet të jetë frymëzimi ynë për lirinë e popullit iranian. E megjithatë, e dimë se, sa më shumë që një qeveri të përpiqet ta forcojë kontrollin mbi popullin e Iranit, aq më e dobët do të bëhet ajo. Pikërisht kjo po ndodh sot. Protestat e nxitura nga mungesat e ujit shpërthyen në më shumë se gjysmën e provincave të vendit. Ka patur gjithashtu protesta në Ahvaz, Tabriz, Teheran, Isfahan, dhe në qytete të tjera anembanë Iranit. Këta protestues kanë treguar rezistencë dhe trimëri të konsiderueshme kundër regjimit. Dhe unë e di, e di, në fund populli iranian do të ketë një republikë laike, demokratike, dhe jo-bërthamore. Veprimet e 1979-ës janë një pikë kthese kyçe. Për ta kuptuar Iranin dhe vendin që atij i takon të zërë në histori, duhet të zbërthejmë se çfarë ndodhi në 1979-ën. Mendoj se Irani nuk do t’i kthehet më kurrë sundimit nga një Shah diktatorial apo regjim teokratik. Kjo është beteja e vërtetë dhe ka nisur në ato çastet e para të frikshme të revolucionit në 1979-ën.

Beteja qendrore është ajo në rrugë, në xhami dhe në mendjet e iranianëve; është konflikti midis popullit dhe opozitës së organizuar që kërkon liri dhe demokraci nga njëra anë, dhe regjimit në tërësi nga ana tjetër. Por lajmi i mirë është ky. Forcat e rezistencës në Iran, ata patriotë fisnikë iranianë, janë po aq të fortë sa ç’kanë qenë gjithmonë dhe sjellin optimizëm për këdo që i mbështet nëpër botë. Mund të shihen qartë efektet e viteve të fundit të punës sonë në zgjedhjet më të fundit. Regjimi është bërë gjithnjë e më i dëshpëruar, i ka shtuar mashtrimet, dhe populli iranian e ka kuptuar këtë. Që në 1979-ën, çdo proces zgjedhjesh në Iran ka shërbyer vetëm për t’i dhënë një fasadë republikanizmi një teokracie të korruptuar dhe brutale. Por zgjedhjet presidenciale të vitit 2021 kanë qenë shumë më ndryshe nga ato të mëparshmet, kryesisht për shkak se janë zhvilluar në një kohë kur regjimi teokratik është në gjendjen më delikate që ka qenë ndonjëherë që kur mori pushtetin në 1979-ën, dhe populli i Iranit e di këtë. Perspektiva e tij për mbijetesë po vihet në dyshim haptazi nga vetë personat e brendshëm të regjimit, si dhe po sfidohet nga një komb i trazuar që kërkon lirinë. Me pak fjalë, e llogaritni vetë. Shumë pak njerëz kanë votuar PRO Raisi-t. Pjesëmarrja ka qenë më e ulëta që në 1979-ën, duke shënuar kështu një refuzim total ndaj regjimit dhe kandidatit të tij. Edhe vetë regjimi e ka pranuar për herë të parë në 40 vite se shumica e iranianëve i kanë qëndruar larg kutisë së votimit. Në fakt, ky ishte një bojkot ndaj regjimit dhe liderët e regjimit e dinë këtë. Ky bojkot nga populli iranian vërteton faktin që populli iranian nuk var asnjë shpresë te zgjedhjet si mjet për ndryshime thelbësore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb