NGA ERIK FOLAT/DER SPIEGEL

Për vite të tërë, mendohej se Izraeli ia kishte dalë të shkatërronte aftësinë e prodhimit të armëve bërthamore nga Siria, me sulmet ajrore të vitit 2007 në kompleksin e Kibarit. Por ja që nuk është kështu. Hetimet më të fundit sugjerojnë se Bashar al-Assad është ende duke u përpjekur për të ndërtuar bombën bërthamore, dhe se ai mund të jetë duke marrë ndihmë nga Koreja e Veriut dhe Irani. Në orën 11 të mbrëmjes, në 5 shtator të vitit 2007, 10 avionë bombardues luftarakë F-15 u ngritën në ajër nga baza ushtarake izraelite “Ramat David”, në jug të qytetit të Haifas. Skuadrilja u drejtua për në Detin Mesdhe, zyrtarisht për një mision trajnimi. Gjysmë ore më vonë, 3 nga aeroplanët u
urdhëruan që të kthehen në bazë, ndërsa të tjerët ndryshuan kurs, duke fluturuar mbi Turqi drejt kufirit sirian.

Atje, ata eliminuan një stacion radarësh me sinjale elektronike dhe pas më shumë se 18 minutash, arritën në qytetin e Deir El-Zor, që ndodhet në brigjet e lumit Eufrat. Objektivi i tyre ishte një kompleks strukturash i njohur si “Kibar”, në lindje të qytetit sirian. Izraelitët hapën zjarr, duke përdorur raketat “Maverick” dhe bombat 500 kilogramëshe dhe për pasojë shkatërruan tërësisht fabrikën.

Pilotët u rikthyen në bazë pa asnjë dëmtim dhe operacioni “Orchard“ (Drufrutori) kishte sjellë rezultate mjaft të mira. Në Jeruzalem, kryeministri Ehud Olmert dhe këshilltarët e tij më të ngushtë ishin të ngazëllyer, në bindjen se presidenti sirian Bashar Al-Assad po përpiqej të ndërtonte një armë bërthamore dhe se në Kibar thuajse kishte përfunduar ndërtimi i instalimeve të reaktorit. Izraelitët besonin se operacioni i tyre i rrezikshëm kishte shpëtuar botën nga një rrezik i madh. Por ata gjithashtu deshën të parandalonin përshkallëzimin e situatës dhe kjo ishte arsyeja se përse
nuk kishin informuar as SHBA-të për planin e tyre të bombardimeve. Kryeministri Olmert i telefonoi Uashingtonit, vetëm pasi operacioni kishte përfunduar. “Drufrutori”, gjithashtu duhet të mbetej sekret edhe për publikun e gjerë në Izrael, në mënyrë që të shmangej çdo lloj shfaqjeje triumfalizmi. Ata nuk deshën që të bëhet e ditur, se ekspertët bërthamorë të Koresë së Veriut ishin angazhuar në Deir el-zor, duke ndihmuar në ndërtimin e reaktorit. Izraelitët, shpresonin të siguronin një alibi, për të hedhur poshtë akuzat e Asadit mbi incidentin dhe për pasojë të shmangin sulmet hakmarrëse.

Dhe akuzat në fakt erdhën. Asadi, u ankua për shkeljen e hapësirës ajrore siriane dhe bombardimin e një “depoje”, por versioni zyrtar pretendonte se forcat ajrore siriane kishin arritur që të përzinin agresorët. Publiku i gjerë në atë kohë nuk e mësoi dot atë që kishte ndodhur në realitet. Tashmë, informacione sekrete të siguara nga “Der Spiegel”, dëshmojnë se bota sërish është duke u mashtruar nga Asadi. Diktatori i Sirisë nuk ka hequr dorë nga ëndrra e tij për të patur armën bërthamore, dhe mesa duket në një vend të fshehtë e ka ndërtuar një instalim të ri bërthamor. Kjo është edhe pjesa jashtëzakonisht shqetësuese e lajmit.

Grimcat e dyshimta të uraniumit
Nëse kthehemi pas në vitin 2007, ngjante e pamundur të shuaje krejtësisht thashethemet në lidhje me kompleksin misterioz, të ndërtuar në shkretëtirë dhe qëllimin e tij të mundshëm ushtarak. Në dallim nga Izraeli dhe Pakistani, Siria është nënshkruese e Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, dhe është për pasojë e detyruar të përdorë energjinë bërthamore vetëm për qëllime paqësore.

Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike në Vjenë ka kërkuar të inspektojë nga afër stabilimentin. Në qershor të vitit 2008, Asadi më në fund iu dorëzua presionit të IAEA-së, dhe ekspertët nën drejtimin e finlandezit Olli Heinonen, u lejuan të inspektojnë objektin e shkatërruar në Kibar.

Shumë shpejt u bë e qartë se Damasku, kishte bërë gjithçka që mundej, për të shkatërruar të gjitha gjurmët e asaj që kishte qenë ndodhur atje. Por inpektorët e agjensisë ishin megjithatë në gjendje të gjenin grimca të dyshimta të uraniumit, një zbulim që qeveria siriane u përpoq ta “shiste” si një akt të mundshëm sabotazhi.

Edhe pse agjensia u shpreh se hetimi i saj nuk arriti që të gjejë prova përfundimtare, për shkak të dyshimeve të vazhdueshme, u kërkua qasje edhe në 3 objekte të tjera. Agjensia pra dyshonte se këto 3 objekte mund të kishin lidhje të drejtpërdrejtë me Kibarin. Dyshimet binin në veçanti tek stabilimenti i pasurimit të uraniumit në Marj as-Sultan, që ndodhet 15 kilometra në veri të Damaskut. Sirianët refuzuan, të zemëruar nga ato që ata i quajtën “shpifje të pabaza.”Imazhe të qarta të operacionit izraelit dhe detajet e sulmit komando u bënë të mundura vetëm nga një rindërtim i saktë i ngjarjes nga “Der Spiegel” në vitin 2009, që u pasua nga një mori intervistash me udhëheqës politikë, ekspertë bërthamorë dhe ekspertë të shërbimeve sekrete. Sigurisht, gjatë intervistës dhënë për revistën gjermane, presidenti sirian mohoi të kishte ambicie për ndërtimin e bombës bërthamore. “Ne duam një Lindje të Mesme pa armë bërthamore, përfshi këtu edhe Izraelin” – tha ai.

Por një raport investigativ i Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në maj të vitit 2011, dhe një artikull i “New Yorker” në 2012-ën, e bëri të qartë edhe për më skeptikët, se Siria ishte duke luajtur me zjarrin. “Agjensia konstaton se ndërtesa e shkatërruar, me shumë gjasa ka qenë një reaktor bërthamor” – vinte në dukje, me një qartësi të pazakontë, raporti i IAEA.
Më pas, i gjithë aktiviteti ndaloi në instalimet e shkatërruara, sikurse tregohet nga imazhet satelitore të zonës, të analizuara rregullisht. Por a do të thotë kjo se sulmi izraelit i dha me të vërtetë fund të gjitha planeve siriane për zhvillimin e një bombe bëthamore?
Kërkimi i vazhdueshëm për bombën Dukej se fabrika kishte qenë në prag të përfundimit të saj dhe shumë vëzhgues besonin në atë kohë se mund të ishte një depo e fshehtë karburanti, e mjaftueshme së paku për një vit aktivitet. Sipas hetimeve nga agjensia bërthamore, Siria zotëron deri në 50 tonë uranium natyral, material ky i mjaftueshëm për prodhimin e 3 deri në 5 bombave, pasi procedura e pasurimit të ketë përfunduar.
Instituti për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare në Uashington, gjithashtu ka sinjale të forta për ekzistencën e stoqeve të tilla, ndërsa e shprehu shqetësimin publikisht në shtator të vitit 2013.
“Kjo magazinë e madhe e metalit të uraniumit natyror paraqet rreziqe serioze të përhapjes bërthamore” – nënvizoi instituti në raportin e tij.

“Uraniumi mund të bjerë në dorë të organizatave të tilla si Hezbollah apo Al-Kaeda, ose nga shtete që kanë programe të padeklaruara bërthamore, sikurse është Irani”. Megjithatë, sipas gjetjeve të agjensive perëndimore të inteligjencës, situata është shumë më shpërthyese nga sa mendohej më parë. Bazuar në dokumentet që zotëron “Der Spiegel”, agjensitë janë të bindura se Asadi është duke vazhduar përpjekjet e tij për të ndërtuar bombën.

Analistët, thonë se programi sirian për ndërtimin e armës bëthamore, ka vazhduar në fshehtësi në një bazë nëntokësore. Sipas informacioneve që ata kanë marrë, rreth 8000 shufrat e lëndës djegëse janë ruajtur në atë bazë. Për më tepër, një reaktor i ri ose një stabiliment i pasurimit të uraniumit,me shumë mundësi është ndërtuar në atë vend, një zhvillim ky me pasoja të pallogaritshme gjeopolitike.

Mesa duket, një sasi e uraniumit ishte e fshehur për një periudhë të gjatë në Marj As-Sultan afër Damaskut, një vend që agjensia e sheh gjithashtu me dyshim. Imazhet satelitore nga dhjetori 2012 deri në shkurt 2013, dëshmojnë qartë aktivitetin e dyshimtë në Marj As-Sultan.

Objekti, që ndodhet jo shumë larg nga një bazë e ushtrisë siriane ishte shndërruar në epiqendrën e luftimeve të ashpra me rebelët. Trupat qeveritare, u detyruan me shpejtësi të zhvendosnin prej andej çdo gjë me vlerë. Nga rindërtimi i ngjarjes që kanë bërë shërbimet sekrete, ushtria siriane e kreu këtë zhvendosje me ndihmën e Hezbollahut, krahu radikal shiit i “Partisë së Perëndisë” në Liban.
Milicia e mirëarmatosur që financohet kryesisht nga Irani është duke luftuar përkrah trupave të Asadit.

Bisedat e përgjuara
Gjetjet e agjensive të inteligjencës tregojnë se materiali u zhvendos në një vend të fshehur mire nëntokë, në perëndim të qytetit të Kusajrit, më pak se 2 kilometra nga kufiri me Libanin. Ata ia dolën ta lëviznin tamam në kohë, pasi Marj as-Sultan vetëm pak ditë më pas ra në duart e rebelëve, megjithëse në pak kohë u rimorr sërish dhe gjendet ende nën kontrollin e trupave qeveritare.
Prej asaj kohe, ekspertët po mbajnë nën vëzhgim ambjentet e jashtme të Kusajrit, një bazë që dikur e kishin injoruar, me bindjen se kjo e fundit ishte një depo e armëve konvencionale të Hezbollahut.
Analistët krahasuan imazhet e mëhershme satelitore dhe me kujdes shqyrtuan edhe ndryshimet më të vogla. Shumë shpejt, për ta u bë e qartë se ishin para një zbulimi jashtëzakonisht shqetësues.
Sipas analizave të agjensive të inteligjencës, ndërtimi i objektit filloi përsëri në vitin 2009.
Hetimet zbuluan se puna u maskua që në fillim nëpërmjet gërmimit të rërës që hidhej në vende të ndryshme, mesa duket për ta bërë më të vështirë për vëzhguesit nga lart, për të kuptuar sesa i thellë ishte gërmimi.

Për më tepër, hyrjet në objekt ruheshin nga ushtria, çka rezultoi të ishte një masë paraprake e nevojshme. Në pranverën e vitit 2013, në rajonin përreth Kusajrit pati luftime të ashpra. Por përkundër humbjeve të rënda, të pësuara nga njësitë elitë të Hezbollahut që ishin stacionuar atje, zona përreth projektit në minierë u ruajt e paprekur.
Imazhet më të fundit satelitore tregojnë 6 struktura: një ndërtesë rojesh dhe 5 hangarë, 3 prej të cilëve fshehin hyrjet e objektit të nëndheshëm. Ndërkohë stabilimenti ka një lidhje të veçantë me rrjetin e energjisë dhe që e merr nga qyteti i afërt i Blosahut. Një detaj veçanërisht i dyshimtë është pusi i thellë që lidh objektin me liqenin e Zaitas, 4 kilometra larg. Një lidhje e tillë është e panevojshme për një sasi armësh konvencionale, por ajo është e domosdoshme për një reaktor
bërthamor.

Prova më e qartë se ajo është një strukturë bërthamore, vjen nga komunikimet me radiomarrëse, të përgjuara kohët e fundit nga një rrjet spiunësh. Në një prej përgjimeve, një zë i identifikuar si një funksionar i lartë i Hezbollahut, dëgjohet duke iu referuar “fabrikës atomike” dhe përmendur Kusajrin. Aty duket qartësisht, se njeriu i Hezbollahut e njeh shumë mirë objektin. Dhe ai zhvillon shpesh telefonata të përditshme me një person veçanërisht të rëndësishëm: Ibrahim Otmanin, kreun e Komisionit të Energjisë Atomike Siriane. Funksionari i Hezbollahut, përdor kryesisht një emër të
koduar kur i referohet objektit: “Zamzam”, kuptimi i së cilës është thuajse i njohur nga çdo mysliman.
Sipas traditës, Zamzam-i është Pusi i Zotit, i krijuar në shkretëtirë për gruan e Abrahamit, Agarin dhe djalin e tyre Ismail. Pusi mund të gjendet edhe në Mekë, dhe është një nga vendet më të vizituara nga pelegrinët gjatë haxhit. Ata që nuk kanë frikë Zamzam-in, nuk konsiderohen të jenë myslimanë të vërtetë.

Ekspertë koreano-veriorë në Siri ?
Në bisedat e përgjuara, përmendet edhe puna e kryer në objekt nga anëtarët e Gardës Revolucionare të Iranit. Garda është një organizatë paraushtarake, nën kontrollin e drejtpërdrejtë të liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei. Ajo kontrollon një pjesë të madhe të ekonomisë iraniane dhe gjithashtu luan një rol të rëndësishëm në vetë aktivitetin bërthamor të Iranit. Jo të gjithë misionet e saj jashtë vendit janë të konsultuara me qeverinë e presidentit të moderuar Hasan Rohani. Garda Revolucionare është një shtet brenda shtetit.

Ekspertët janë gjithashtu të bindur se Koreja e Veriut është e përfshirë në aktivitetin e Zamzam-it. Tashmë dihet se gjatë ndërtimit të objektit në Kibar, Ibrahim Otmani ka bashkëpunuar ngushtë me Chou Ji Bu, një inxhinier që ka ndërtuar reaktorin bërthamor në Jongbjon në Korenë e Veriut.
Për një kohë të gjatë u mendua se Chou ishte zhdukur. Disa besonin se ai kishte rënë viktimë e një spastrimi politik në Kore. Megjithatë, tani ekspertët perëndimorë të zbulimit, besojnë se ai kaloi në ilegalitet në Damask. Sipas kësaj teorie, Otmani nuk i ka humbur asnjëherë kontaktet me të njohurin e tij “hije”. Ekspertë besojnë gjithashtu se objekti i ri bërthamor nuk do të mund të ishte ndërtuar dot kurrë, pa ndihmën teorike dhe praktike të Koresë së Veriut.

Mjeshtëria që shfaqet tek ndërtimi i shufrave të lëndës djegëse rrit dyshimet për përfshirjen e Koresë së Veriut. Po çfarë masash do të merren tani për Zamzam-in? Si do reagojë Perëndimi, Asadi apo fqinjët e Sirisë ndaj këtij zbulimi? Zbulimi i objektit të supozuar bërthamor, nuk ka të ngjarë të jetë i mirëpritur nga ndonjë prej aktorëve politikë. Ky është një turp për të gjithë. Edhe për Sirinë dhe Korenë e Veriut, që kanë tentuar në mënyrë periodike të shpërfaqin imazhet e tyre si “të dëbuarit” prej ndërkombëtarëve. I tillë është edhe për Hezbollahun, që shpreson të dalë si forca politike kryesore në Liban.

Një vlerësim i ri
Por ky zhvillimi i ri vjen ndërkaq në një kohë të papërshtashme për qeverinë e SHBA-së. Përkundër të gjitha mohimeve zyrtare, Uashingtoni aktualisht po vepron në terren, ku më shumë e ku më pak në bashkëpunim me Asadin, në luftë kundër luftëtarëve islamikë të Shtetit Islamik. Për më tepër, pas shkatërrimit të mirëmonitoruar dhe kryesisht të efektshëm të armëve kimike siriane, SHBA, Britania dhe Franca besuan se aftësia e Asadit për të zhvilluar luftëra jo konvencionale ishte eliminuar. Zhvillimi i mundshëm i një arme atomike siriane, që mbetet të konfirmohet plotësisht, do
të çojë në një vlerësim të ri të situatës.

Zbulimi ndërkohë paraqet një dilemë veçanërisht të vështirë për Izraelin. Për të garantuar sigurinë e vet, vendi ka vazhduar të bombardojë linjat e furnizimit të Hezbollahut. Por mesa duket, Tel-Avivi nuk dinte asgjë për një strukturë të mundshme bërthamore. Liderët izraelitë do të ballafaqohen me vendimin e tejet të vështirë, mes injorimit të Zamzam-it ose ndërmarrjes së një sulmi jashtëzakonisht të rrezikshëm, kundër një objekti të ndërtuar thellë nëntokë.

Në kontrast me vitin 2007, në një operacion të tillë do të jenë të nevojshme bombat “buster” antibunker, por që kanë pasoja të paparashikueshme për mjedisin. Do të ishte një vendim i papërgjegjshëm, por gjithësesi një akt që në analizë të fundit, do të ndërmerret nga liderët izraelitë e linjës së ashpër.
Gjithashtu edhe vëzhguesit ndërkombëtarë në Vjenë nuk ndihen të qetë, pasi shefi i agjensisë, Jukija Amano, zbuloi se është mashtruar nga Asadi. Në shtator të vitit 2014, përfaqësuesi japonez kërkoi nga Siria “të bashkëpunojë plotësisht me agjencinë, në lidhje me të gjitha çështjet e pazgjidhura”. Ai nuk ka marrë ende një përgjigje. Sanksioni më ekstrem që mund të ndërmerret në këtë rast, do të ishte përjashtimi i Sirisë nga Agjensia Bërthamore, një skenar ky që ka pak gjasa të vihet në jetë, duket patur parasysh se Moska vazhdon ta mbrojë Asadin, si në IAEA, ashtu edhe në
Kombet e Bashkuara.
Shteti Islamik, ftoi kohët e fundit inspektorët e agjensisë bërthamore të hetojnë në zonat nën kontrollin e tyre. Organizata terroriste pushtoi zonën rreth Deir El-Zor disa muaj më pare, dhe i ofroi agjensisë, mundësinë për të vëzhguar përreth objektit në Kibar. Por organizata me qendër në Vienë e refuzoi ftesën, pasi nuk dëshironte t’i siguronte Shtetit Islamik asnjë lloj legjitimiteti. Për me tepër që Deir El-Zor nuk është “thembra e Akilit”. Ekspertët ndërkombëtarë në Vjenë, tani gjejnë veten në përballje me sfidat e reja në të gjithë vendin kufitar me Libanin. / Marrë nga “Der Spiegel International”

Pershtati www.bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb