Sektori bankar shënoi fitimin më të lartë historik gjatë vitit 2021. Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi i përbashkët i bankave tregtare me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) arriti në 19 miliardë lekë, më i larti i regjistruar ndonjëherë.

Nga dymbëdhjetë banka tregtare aktive, njëmbëdhjetë e mbyllën vitin financiar me fitim. Rritja e fitimeve të sektorit bankar reflekton një ecuri përgjithësisht pozitive të aktivitetit, të karakterizuar nga një zgjerim i aktiveve dhe sidomos i portofolit të kredisë dhe një përmirësim i mëtejshëm i cilësisë së aktiveve.

Portofoli neto i kredisë (gjithnjë me standardet IFRS) arriti në pothuajse 648 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 12%. Ndërsa raporti i kredive me probleme (i vlerësuar sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë) në fund të vitit të kaluar ra në 5.65%, niveli më i ulët në trembëdhjetë vitet e fundit.

Në vlerë absolute, banka me vlerën më të madhe të fitimeve mbetet Banka Kombëtare Tregtare (BKT), për një vlerë totale prej gati 7.9 miliardë lekësh, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë. Vijon Raiffeisen Bank me një fitim neto në vlerën e 3.4 miliardë lekëve, 132% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Bankat e tjera që kanë siguruar një fitim sipas kufirit të një miliardë lekëve janë OTP Albania, me 1.9 miliardë lekëve (në rritje vjetore me 26%), e ndjekur nga Banka Amerikane e Investimeve me 1.45 miliardë lekë (me rritje vjetore 14%) dhe Credins Bank me 1.2 miliardë lekë (me rritje vjetore prej 8%). Bankat e tjera kanë raportuar rezultate më të ulëta, por për shumicën prej tyre në rritje krahasuar me vitin e kaluar.

Përmirësimi i performancës është reflektuar edhe në treguesit e rentabilitetit të sektorit bankar. Kthimi mesatar nga kapitali për 2021 arriti nivelin e 11.32%, nga 8.63% që kishte qenë një vit më parë, por lehtësisht më i ulët se niveli prej 12.03% i vitit 2019, para pandemisë.

Megjithëse në vlerë absolute fitimet janë më të lartat historike, në terma relativë kthimet janë në nivele mesatare. Kriza dhe kërkesat e reja rregullatore të Bankës së Shqipërisë, të lidhura me shtesat makroprudenciale, kanë bërë që kapitalizimi i bankave të rritet. Kjo e bën gjithnjë e më të vështirë sigurimin e kthimeve të mëdha nga kapitalit, por sidoqoftë disa banka të veçanta kanë kthime ndjeshëm më të mira se mesatarja e sistemit.

Për vitin e kaluar, banka me kthimin më të lartë nga kapitali ishte për të tretin vit radhazi OTP Albania, me 20.3%, e ndjekur nga Fibank Albania me 16.93%, BKT me 16.85%, Union Bank me 15.74%, Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank) me 14.7% dhe Raiffeisen Bank me 12.49%. Banka e tjera kanë raportuar kthime pozitive në nivele njëshifrore.

Në vitet e fundit, një grup bankash të përmasave të mesme po shfaqin një performancë dhe rentabilitet në rritje. Procesi i konsolidimit të sektorit bankar duket se ka ndikuar në rritjen e eficiencës dhe përfitueshmërisë së disa prej bankave, element që mund t’i bëjë këto banka më konkurruese në afatin e gjatë.

Përfitueshmërinë më të ulët për 2021 e raportoi Alpha Bank, me një kthim në nivelin 0.97%. Rezultatet modeste ishin arsyeja kryesore që shtyu grupin grek ta nxirrte në shitje bankën shqiptare. E vetmja bankë me humbje për vitin e kaluar rezulton Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA), me një kthim negativ nga kapitali në nivelin 3.9%.

Megjithatë, raportimi i UBA është i vetmi që bazohet në standardet lokale të Bankës së Shqipërisë dhe nuk përjashtohet që rezultati final vjetor sipas IFRS të jetë i ndryshëm./ Monitor

Sek Bankar
Sek Bankar

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: