VLORË- Thellohet skandali në çështjen “Gjika”. Ndonëse kreu i Bashkisë së Vlorës, u vu nën arrest për pengim të hetimeve që prokuroria po zhvillonte ndaj tij, për leje ndërtimi të falsifikuara, grupi hetimor nuk ka mundur të ketë në duar asnjë prej dokumenteve që kërkonte. Me vendim gjykate në duar, prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore shkuan ne zyrën e kryebashkiakut Gjika, për të sekuestruar prej andej dokumentet për nevojat e hetimit. Por, hasën vështirësi, pasi zyra ishte e mbyllur dhe shefi i kabinetit u tha se nuk dispononte çelësat. Pas më shumë se një orë, prokuroria ka ndërhyrë, duke hapur me forcë derën e zyrës së Shpëtim Gjikës, ndërsa për shkak të kësaj situate puna në bashki është ndërprerë për më shumë së një orë.
“Në zyrën e kryetarit të Bashkisë Vlorë nuk është gjetur asnjë dokument nga ato të cilat po zhvillon hetime prokuroria. Gjika ka deklaruar me shkresë zyrtare para arrestimit, se dokumentet në fjalë i ka në zyrën e tij”, -tha një burim i prokurorisë.
Ndërkaq, me kërkesë të prokurorisë, gjykata ka vendosur sekuestron preventive mbi objektin 11 katësh në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë. Pallati shumëkatësh është ndërtuar nga shoqëria, “Turi&M.Z.B” sh.p.k, me administrator Artur Haxhi, i cili ndodhet nën arrest. Shpëtim Gjika, kryetar i Bashkisë Vlorë, u arrestua pak ditë më parë, pasi dyshohet për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, pasi sipas prokuroria ka falsifikuar procesverbalin e mbledhjes së KRRT-së, datë 17.01.2011. Nën arrest u vu dhe Doriana Sulaj, shefe urbanistike në Bashki dhe biznesmeni Haxhi. Në kohën që Sulaj dhe Haxhi ndodhen në burg, për Shpëtim Gjikën, gjykata e ndryshoi masën e sigurisë nga burg në detyrim paraqitje, për shkak të gjendjes shëndetësore. Pak orë pas arrestimit, Gjika u transferua nga qelitë e paraburgimit në spital në Vlorë, e mandej në Tiranë, për shkak të probleme me hipertensionin, dhe atyre në zemër. Prokuroria ka nisur hetim lidhur me lëvizjet e të dyshuarit Gjika, pasi transferimi i tij është bërë pa dijeninë e prokurorit.

(m.k/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb