VLORE – Në vijim të hetimit të Prokurorisë së Vlorës, ku u sekuestrua 220 ha truall në plazhin e Shën Vasilit në Karaburun, Policia ka shpallur në kërkim kryetarin e PR-së në Vlorë Pëllumb Petriti , si dhe ka vënë në pranga nipin e tij avokat dhe një notere.

Burime zyrtare nga prokuroria bëjnë të ditur se noterja dhe avokati dyshohen për “falsifikimin e dokumenteve” dhe “shpërdorimin e detyrës”. Prokuroria e Vlorës urdhëroi kontrollin e zyrës noteriale dhe avokatore, proces i cili u krye në bashkëpunim me Policinë Vendore. Në vijim të kontrollit, në zyrën e noteres Belona Seraj dhe avokatit Enkes Hysendhima, u gjetën një numër i lartë dokumentesh të falsifikuara.

Në bazë të këtyre rezultateve, është ndërhyrë me arrestimin në flagrancë të këtyre personave nga ana e Policisë. Prokuroria e Vlorës po vijon hetimin për rastin, ku dyshohet se janë përfshirë edhe persona të tjerë.

POLICIA: NE KËRKIM BIZNESMENI P. P., 52 VJEÇ
Policia e Vlorës ka shpallur në kërkim biznesmenin P. P.,banues në Vlorë.

“Në kuadër të procedimit penal nr. 266/2016, nën hetim që prej 3 muajsh dhe në vijim të sekuestros që u bë për 220 HA tokë në Gadishullin e Karaburunit, Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, kanë bërë arrestimin e 2 shtetasve si dhe shpalljen në kërkim të 1 tjetri për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”.
Arrestohen në flagrancë shtetasit e quajtur:
1. Enkes Hysendhima, 35 vjeç, banues në Orikum, me profesion “Avokat”.
2. Belona Seraj, 29 vjeç, banuese në Vlorë, me profesion “Notere”.
Shpallet në kërkim shtetasi:
3. P. P., 52 vjeç, banues në Vlorë “biznesmen”.
Në bazë të këtij hetimi të përbashkët, duke filluar me sekuestrimin të kësaj sipërfaqe të gjerë toke, janë ushtruar kontrolle nëpër banesat dhe zyrat e këtyre shtetasve dhe janë gjetur gjurmë dhe prova të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentesh”.”- thuhet në njoftimin e policisë.

SEKUESTROHEN 220 HEKTARË TOKË NË KARABURUN ME VLERË 100 MILIONË EURO
Prokuroria e Vlorës ka vendosur nën sekuestro 220 hektarë tokë në zonën e Karaburunit, me vlerë rreth 100 milionë euro, e dyshuar si e përfituar në bazë të dokumentave të falsifikuar.

Prokuroria e Vlorës ka nisur kryesisht hetimin dhe më tej i janë bashkuar edhe kallëzimet e dy shtetasve, të cilët pretendojnë pronësinë në një pjesë të kësaj hapësire. Pas veprimeve proceduriale, Prokuroria mori lejen e gjykatës për të vendosur nën sekuestro preventive të gjithë sipërfaqen e tokës, e cila është regjistruar në Hipotekën e Vlorës, bazuar në një seri dokumentash të falsifikuar.
Në bazë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit të Njësisë Task-Forcë së Prokurorisë së Vlorës, ka rezultuar se prona me sipërfaqe 220 hektarë në Shën Vasil, Karaburun, fillimisht është regjistruar në emrin e shtetasi Rajmond Mezi.

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se dokumentacioni që ka shërbyer për njohjen, kthimin dhe më pas regjistrimin e kësaj prone, është i falsifikuar.
Konkretisht, rezulton se është falsifikuar dokumenti datë 13/05/1943, në bazë të të cilës figuron si pronar shtetasi Jakup Mezi. Ky dokument i falsifikuar është paraqitur me pas në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, gjatë shqyrtimit gjyqësor për njohjen e pronësisë trashëgimtarit Rajmond Nezi.
Po kështu, nga hetimet rezulton e provuar se vendimi nr. 100, datë 19/04/1994 ish-KKKP-së Bashkia e Qytetit Vlorë, i paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, është i falsifikuar.

Gjithashtu nga hetimet rezulton se edhe vendimi gjyqësor civil nr. 1360, datë 29/12/2000 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, përmes të cilit është kthyer fizikisht sipërfaqja e pronës prej 220 ha, është i falsifikuar.

Kjo është e provuar pasi, nga të dhënat e deritanishme, është provuar se e gjithë dosja që i përket këtij vendimi gjyqësor është fallsifikuar dhe më pas është regjistruar ne indeksin e vendimeve gjyqësore dhe bërë pjesë e arkivit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, në kundërshtim të plotë me ligjin.

Nga hetimet e kryera, është provuar se pasuria e mësipërme, është regjistruar në regjistrin hipotekor datë 12/10/2012, me përshkrimin “Një sipërfaqe kullotë prej 220 ha, në vendin Karaburun sipas kufinjëve”, në emër të shtetasit Rajmond Mezi.

Pas regjistrimit të kësaj pasurie, ajo është ndarë në dy pasuri të tjera, me sipërfaqe prej 130 ha dhe 90 ha. Më tej, mbi këto pasuri janë kryer transaksione të ndryshme, duke u tjetërsuar tek persona të tjerë dhe veprimet e tjetërsimit të kësaj pasurie janë pasqyruar më pas edhe ne regjistrat e ZVRPP Vlorë, veprime të cilat janë kryer me qëllim fshehjen e origjinës së pasurisë së mësipërme.
Lidhur me sa më sipër, deri në këtë fazë të hetimit, ndodhen nën hetim disa persona të dyshuar se kanë kryer veprat penale të “Falsifikimi i dokumentave” e kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim detyre”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb