DURRES- Zbardhen detaje nga aksioni i djeshëm i policisë Kufitare në Portin e Durrësit, ku u sekuestruan 450 kg drogë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije për ‘BalkanWeb’ se ka nisur procedimi penal për një person, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Nën hetim është drejtuesi i mjetit me inicialet Sh.J., 61 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa në kërkim janë shpallur shtetasit A.R., 24 vjeç, dhe E.S., 28 vjeç.

Mësohet se dje, gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, në mjetin tip ‘Scania’ me targë përpara AA 822 OS dhe targë mbrapa ADT 801, me drejtues shtetasin Sh.J., pas dyshimeve nga Specialistët se në brendësi të tij kishte lëndë narkotike, për verifikim më të hollësishëm u kontrollua në Skaner.

Në përfundim u konkludua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva. Kamioni ishte i ngarkuar me arka plastike, bosh dhe lënda narkotike ishte e futur në të gjitha këmbët e arkave, ku pas peshimit rezultoi në total një sasi rreth 450 kg lëndë narkotike. Droga u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Specialistët dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet kriminal. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: