FIER

Policia e Fierit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Hamili”, duke goditur 2 raste, një për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe një për kultivim të bimëve narkotike.

Sekuestrohet rreth 60 kg lëndë narkotike cannabis sativa, ndërkohë që janë arrestuar 7 shtetas dhe është proceduar penalisht kryeplaku i fshatit Hamil.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Njësia Operacionale në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Hamili”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Hamil, në stallën në pronësi të shtetasit Altin Hebeja, janë gjetur dhe sekuestruar 60.4 kg lëndë bimore cannabis sativa si edhe në tokën e tij të mbjellë me misër u gjetën të kultivuara bimë cannabis sativa.

Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” shtetasi Altin Hebeja, 42 vjeç, banues në Hamil, si edhe u arrestuan për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim shtetasit Z. K., 36 vjeç, A. K., 24 vjeçe, F. K., 38 vjeçe, H. K., 60 vjeçe dhe F. K., 34 vjeçe, banues në fshatin Baltëz, të cilët u gjetën në stallën e shtetasit A. H., duke kryer procesin e tharjes së bimëve narkotike.

Gjithashtu u procedua penalisht për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, kryeplaku i fshatit Hamil, shtetasi Sinan Hebeja, 56 vjeç. Gjatë kontrollit të territorit, po në këtë fshat, në tokën e mbjellë me misër të shtetasit Erjon Hebeja, 39 vjeç, u gjetën të kultivuara bimë narkotike cannabis sativa.

Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi Erjon Hebeja, 39 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Fier për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb