DURRËS- Rreth 1 tonë drogë është sekuestruar mbrëmjen e djeshme në Portin e Durrësit. Fillimisht policia tha se u kapën 700 kg kanabis por pas peshimit rezultuan 980 kg lëndë narkotike.

Zyrtarisht policia e Durrësit, njofton se janë arrestuar tre persona. Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se një sasi e madhe lëndë narkotike ishte përgatitur të trafikohej për në Itali nëpërmjet një kamioni që transportonte lëndë drusore,  nga Policia Kufitare dhe Sektori Kundër Narkotikëve  është organizuar dhe zhvilluar operacioni antidroge  i koduar “Poker”.

Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë i shtetasve:

Albert Doku, 51 vjeç; Ervin Pëllumbi, 36 vjeç, të dy lindur në Tiranë dhe banues në Njësinë Administrative Nr. 11, Tiranë si dhe Gani Bushati, 55 vjeç, lindur dhe banues në Bushat, Shkodër.

Pasditen e djeshme, rreth orës 17:30, në vijën e dytë në Pikën Kufitare të Kontrollit Porti Durrës, gjatë kontrollit të ushtruar në kamionin me targë TR 8201 R dhe trajler me targë TR 1681 T, me drejtues mjeti shtetasin Ervin Pëllumbi dhe pronar shtetasin Albert Doku, është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike, të llojit cannabis sattiva, e cila ishte fshehur në 10 baleta me dru zjarri, ku pas peshimit të saj rezultoi se pesha totale ishte 983 kg e 845 gram, sëbashku me ambalazhin, si dhe është bërë sekuestrimi i kamionit, 4 aparateve celular dhe një sasie prej 2.150 eurosh.

Gjithashtu nga ana e policisë po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Nga të dhënat, dyshohet se droga sigurohej nga Malësia e Shkodrës, sistemohej në një magazinë drush në fshatin Bushat të qytetit verior, e më pas kishte synim që të ngarkohej në tragetin e linjës Durrës-Ancona, ndërsa destinacion ishte Milano i Italisë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike” të kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.

SHOFERI: NUK KISHA DIJENI PËR DROGËN
Ndërkaq, gjatë marrjes në pyetje nga oficerët e policisë, drejtuesi i mjetit, Albert Doku pohoi se nuk kishte dijeni për drogën e fshehur në trajler. “Nuk e dija se në kamion kishte drogë. Jam punësuar si shofer, thjesht të bëj transportin e mjetit. Dija që brenda kishte vetëm dru”, mësohet të ketë thënë 51-vjeçari. Kjo është sasia më e madhe e kapur në portin e Durrësit gjatë vitit 2015, që prej aksionit të ndërmarrë nga Policia e Shtetit në Lazarat. Sakaq, sipas inspektorëve të Antidrogës, shtimi i sipërfaqeve të kultivuara si në jug dhe veri të vendit ka bërë që të ‘rizgjohen’ sërish rrugët e trafikut nëpërmjet linjave detare, të shkëputura për një periudhë kohe nga aksioni i Lazaratit një vit më parë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb