FIER- ‘Forca e Ligjit’ ka goditur sërish në Fier, që çoi në sekuestrimin e një sasie droge, armë e municione. Ndërkohë në pranga ra një 37-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim nga policia. Burime zyrtare pohuan se komisariati i Policisë Fier në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, të mbështetura nga FNSH, kanë bërë kontrolle të befasishme në lokale, akse rrugore dhe ambiente të ndryshme.

Gjatë kontrolleve u shoqëruan për verifikim 11 persona kryesisht me precedent penal të dyshuar për “Armëmbajtje pa leje” dhe për “Vjedhje”. Si rezultat i kontrolleve, në një lokal në Zhupan, u kap me armë zjarri shtetasi Aleksandër Hoxhaj, i cili ishte shpallur në kërkim nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave”.

Sapo ka parë policinë të hyj në lokal, Hoxhaj ka hequr armën nga brezi dhe e ka hedhur nga dritarja e lokalit por falë veprimeve të shpejta të policisë u konstatua veprimi i tij dhe u arrestua në flagrancë.

Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi ju gjetën:
•15 paketime me lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa me peshë 43.5 Kg
•3 dokumente të falsifikuara: pasaportë, kartë identiteti dhe leje drejtimi automjeti në gjuhën Greke me foto të këtij shtetasi.
•Sende të ndryshme të dyshuara që përdoren për kryerjen e vjedhjeve: 2 matrapikë, 2 leva metalike, 1 maskë me ngjyrë të zezë, 1 palë dorashka, 1 tub metalik që shërben për hapjen e dyerve, 1 pincë etj.
•Sende që dyshohen se i ka vjedhur: 3 kompjuterë lap-top dhe 1 kasafortë metalike.
•34 fishekë pistolete dhe automatiku.
Kontrollet do vijojnë në gjithë Qarkun e Fierit për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë. Policia e Fierit falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen dhe i fton ata të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje të ligjit duke u garantuar ruajtjen e anonimatit si dhe një reagim në kohë të Policisë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb