Një sasi prej rreth 45 kg kokaine u sekuestrua dje në Portin e Durrësit. Sasia e drogës u gjet në një kamion mishi nga Brazili.

Pas informacioneve që dispononte Policia Kriminale, është ushtruar kontroll i detajuar në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut, ku është zbuluar lënda narkotike.

Ndërkohë, kokaina ishte e mbështjellë me foto të filmit të animuar ‘Goku’.

  • foto galeri
  • foto galeri

ÇFARË THOTË POLICIA PËR NGJARJEN
Port, Durrës – Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kriminale e DVP Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit, evidentojnë dhe godasin një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike.

Finalizohet një tjetër operacion policor antidrogë, i koduar “Tranziti”. Operacioni, nga Task Forca permanente e përbërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe autoritetet doganore të Portit. Sekuestrohen 45 kilogramë e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të tentativës për trafikim të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kriminale e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Policia Kufitare e Portit të Durrësit dhe nga autoritetet doganore të Portit, e cila vepron në Portin e Durrësit, në bazë të dyshimeve të krijuara nga kjo Task Forcë dhe informacioneve që dispononte Policia Kriminale e DVP Durrës, është ushtruar kontroll i detajuar në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.

Si rezultat i kontrollit të imtësishëm të ushtruar në kontenier, në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në të. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb