BERAT-Policia e Beratit në sajë të operacionit të koduar “Kalaja” sekuestroi heroinë, kannabis, granata difensive dhe ofensive, ndërsa u shpall në kërkim një 47-vjecar. Gazetarja Endea Petova raporton për ‘BalkanWeb’ se bëhet fjalë për shtetasin Landi Bixheku.


Në zbatim të Planit Opracional për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të atyre që ushtrojnë veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, të armëmbajtjes pa leje, apo lëndëve shpërthyese, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, nga Seksioni Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në bashkëpunim me shërbimet policore të DVP Berat u zhvillua operacionin i koduar “Kalaja”. ku u shpall në kërkim shtetasi i mësipërm.

Në kuadër të operacionit u ushtrua kontroll në banesën e Bixhekut në lagjen “13 Shtatori” ku gjatë kontrollit u gjetën në banesë 441 kg lëndë narkotike Cannabis Sattiva e përpunuar në formën e Çokollatës, 2.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Heroinë, një sasi e vogël lëndë narkotike e dyshuar Kokainë, një arkë me 35 granata ofensive dhe 40 difensive dhe peshore elektronike të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” “Mbajtja e armëve dhe municioneve ushtarake” parashikuar nga nenet 283/1, 278 të Kodit Penal.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb