KOSOVE- Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi sot në një konferencë për media ka thënë se ngjarjet e fundit në Kosovë kanë nxjerrë defektet në sistemin e sigurisë në vend, duke theksuar se është shkelur ligji për policinë e Kosovës.

“Ngjarjet e fundit në Kosovë kanë nxjerrë defektet e sistetimit të sigurisë në vend. Bastisjet e zyreve të opozitës në mënyrë ushtarake dhe duke parë dhunën ndaj protestuesve, arrestimet e paligjshme edhe të deputetëve tregojnë se është shkelur ligji për policinë e Kosovës”, është shprehur Selimi, raporton KTV.

Ai ka thënë se janë shkelur neni 2, 10 dhe 13 i Policisë së Kosovës. Selimi ka kërkuar nga zyrtarët policorë që të respektojnë ligjin për Policinë e Kosovës.

“Është shkelë neni 2 dhe neni 10 i Policisë së Kosovës. Po ashtu edhe neni 13 që ka të bëjë me zbatimin e urdhrave të ligjshëm dhe mos zbatimin e urdhrave të paligjshëm. Kërkojmë nga zyrtarët policorë që ta respektojnë ligjin për Policinë e Kosovës. Shumë pjesëtarë të policisë se kanë kaluar verifikimin e sigurisë. As policia e as MPB-ja nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me këtë çështje”, është shprehur deputeti i VV-së.

Selimi gjithashtu ka shkruar se përmes moskalimit të verifikimit të sigurisë zyrtarët policorë po shantazhohen nga politika.

“Nga moskalimi i verifikimit të sigurisë, zyrtarët policorë po shantazhohen që të zbatojnë urdhrat politik. Është koha e domosdoshme që Policia të reflektojë dhe të zbatoj ligjin për policinë dhe ligjet tjera të Kosovës. Ky pushtet po bie por Policia nuk duhet të bie”, ka thënë Selimi.

Ndërsa Shemsi Syla është shprehur se kreu i Policisë është kryekëput i udhëhequr nga politika.

“Vërejtjet që i kemi dhënë deri tash për policinë nuk kanë qenë frytdhënëse. Shqetësimi ynë kryesor është instrumentalizimi i Policisë. Kreu i policisë është kryekëput i dirigjuar nga politika. Shqetësuese po ashtu është edhe inkuadrimi i prestarëve të mbrojtjes civile dhe të policisë së veriut”, ka thënë Syla.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: